Sindi dhe Laura: Lini ndarjet politike, merruni me uraganin
SHBA- Kuvendi Kombëtar Republikan që po zhvillohet në Shën Pol të shtetit Minesota, duket se do të kthehet sot në procedurat normale, pas një dite me program të reduktuar për shkak të uraganit Gustav.
Menaxheri i fushatës së kandidatit presidencial republikan Xhon Mekein u tha gazetarëve përmes një bisede telefonike, se presidenti Bush do t’u flasë delegatëve në Shën Pol të Minesotës me satelit nga Shtëpia e Bardhë. Zoti Bush e anuloi pjesëmarrjen e planifikuar në kuvend dje për të qënë më pranë përgjigjes së qeverisë federale ndaj uraganit.
Menaxheri i fushatës së zotit Mekein tha se mes folësve të tjerë të ditës së sotme do të jenë ish-senatori Fred Tompson, si edhe senatori Joe Liberman që e quan veten demokrat të pavarur. Zoti Liberman ishte kandidati për nënpresident i Partisë Demokrate në vitin 2000, por tani është përkrahës i fortë i zotit Mekein.
Xhon Mekein i cili do të pranojë kandidaturën këtë javë, e kaloi ditën e djeshme në Ohio, duke u përqëndruar në stuhinë që preku bregun e Gjirit.
Fushatës elektorale për Shtëpinë e Bardhë i janë bashkuar edhe bashkëshortet e presidentit Bush dhe pretendentit për pasues të tij, Xhon Mekein. Bashkëshortja e zotit Mekein, Sindi, u bashkua me zonjën e parë, Laura Bush duke iu drejtuar delegatëve dje, që të lënë mënjanë ndarjet politike dhe të kontribuojnë në operacionet e shpëtimit, pas dëmeve që ka shkaktuar uragani Gustav në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Marrë nga “Zëri i Amerikës”
URAGANI
Gustav, shtatë të vrarë dhe miliarda USD dëme
SHBA- Uragani Gustav ka shkaktuar dëme materiale në shumë zona, pasi kaloi përmes jugut të Shteteve të Bashkuara, por dëmet nuk mund të karahasohen me ato të shkaktuar nga uragani Katrina tre vjet më parë.
Megjithatë, mendohet se dëmet materiale do të arrijnë shifra miliardë dollarësh.Stuhia i mori jetën 7 vetëve, detyroi ndalimin e prodhimit të naftës dhe shkaktoi përmbytje në shtetin e Luizianës dhe Misisipit.
Shumë nga zonat e prekura vazhdojnë t’i nënshtrohen ndalim- qarkullimit. Guvernatori i Luizianës Bobi Xhindal tha se shteti i tij do të këshillohet me qeverinë lokale lidhur me kohën kur banorët e larguar mund të kthehen në shtëpitë e tyre.Zyrtarë federalë, shtetërorë dhe lokalë u kritikuan tre vjet më parë për mungesën e përgatitjeve dhe përgigjen e vonuar ndaj uraganit Katrina. Kësaj here, zyrtarët urdhëruan evakuimin e banorëve para se të vinte stuhia. Që prej uraganit Katrina, në qytetin e Nju Orlinsit është përmirësuar sistemi i digave, si dhe parapërgatitjet në raste krizash.