E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flakë në Kuzum Baba, rrezikohen shtëpitë

Vatra e zjarrit është shfaqur fillimisht në mesin e kodrës por më pas ka rrezikuar shtëpitë dhe vendin e shenjtë

VLORË- Flakët e zjarrit kanë përfshirë sot edhe kodrën e Kuzum Babasë, një nga pikat më të veçanta, pranë qendrës së qytetit të Vlorës. Zjarri është parë rreth orës 11.30 të paradites së djeshme. Vatrat fillimisht kanë qenë pranë mesit të kodrës e më pas janë shpërndarë edhe në sipërfaqe të tjera. Temperaturat e larta kanë bërë që bimësia e shkurtër e një pjese të zonës kodrinore të digjet shumë shpejt dhe flakët kanë përparuar duke zgjeruar sipërfaqen. Të parët që i janë drejtuar vatrave për lokalizimin e tyre, kanë qenë banorë që banojnë në këtë zonë, si dhe punonjës të lokalit lart në kodër e hoteleve të tjerë përreth. Për fikjen e tij janë përdorur mjete rrethanore. Terreni i zonës ka vënë jo pak në vështirësi, pasi zjarri është shkëputur, duke krijuar vatra të njëkohshme. Ndërhyrja e zjarrfikëses ka normalizuar më pas plotësisht situatën. Zjarri ka rrezikuar banesa, lokalin në kodër dhe tyrben e teqesë, por fatmirësisht nuk ka pasur dëme. Ende nuk dihen shkaqet, dhe kush e ndikoi situatën. Në mesin e kodrës gjenden banesa, ndërsa lart në kodër, një lokal si dhe një vend i Teqesë. Paralelisht me këtë situatë, një tjetër vatër ka qenë në pyllin e sodës, në brendësi të tij. Kanë qenë efektivë të pyjores që kanë ndërhyrë si dhe ata zjarrfikës, por janë dëmtuar drurë në një sipërfaqe prej një hektari, fatmirësisht pa u prekur kurorat e tyre. Po flakët e zjarrit mbrëmjen e djeshme kanë djegur një banesë në lagjen “28 nëntori”. Një person, pjesëtar i familjes, është lënduar nga zjarri, në tentative për fikjen e tij dhe i është drejtuar ambienteve spitalore për ndihme. Burimet policore pohuan se aktualisht ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›