Sejdiu dekreton të ngarkuarit me punë të Kosovës
Presidenti Fatmir Sejdiu e ka dekretuar listën e të ngarkuarve më punë në ambasadat e para të Republikës së Kosovës duke i hapur rrugën funksionalizimit të plotë të diplomacisë së shtetit tonë. Të ngarkuar me punë ne ambasadat e para të Kosovës janë : në Uashinton- Avni Spahiu, në Bruksel- Ilir Dugolli, Paris- Muhamedin Kullashi, Berlin- Vilson Mirdita, Vjenë – Sabri Kiqmari , Londër- Muhamet Hamiti, Bernë-Naim Malaj, Romë-Albert Prenkaj dhe në Ankara- Bekim Sejdiu. Presidenti Sejdiu vlerësoi se institucionet kosovare e kanë bërë një zgjedhje shumë të mirë të të ngarkuarve me punë.
“ Është me rëndësi që e kemi kryer këtë punë. Është një vendim pas konsultave të gjata. Mendoj se kemi bërë një zgjedhje jashtëzakonisht të mirë të të ngarkuarve me punë dhe besoj se Ministria e jashtme do t'i marrë të gjitha veprimet e nevojshme për t’i kryer aspektet logjistike për të pasur një fillim të mirë “, tha presidenti me këtë rast.
Numri një i shtetit tha se Kosova së shpejti do ta zgjerojë rrjetin e saj diplomatik.
Ndërkaq, i ngarkuari me punë në ambasadën e Republikës së Kosovës në Uashington, Avni Spahiu tha se si prioritet i tij do të jetë forcimi dhe mbajtja e lidhjeve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Prioritet tjetër, sipas Spahiut ,do të jetë edhe ndihmesa për komunitetin shqiptarë që jeton në Amerikë si dhe lobimi për njohjen e pavarësisë edhe nga ato shtete që deri më tani nuk e kanë bërë një gjë të tillë .
Qeveria ka ndarë një buxhet prej 25 milion euro për blerjen e objekteve të ambasadave të Kosovës në vende të ndryshme të botës, ndërkaq të ngarkuarit me punë pritet që të vendosen në ambasadat e Kosovës në muajin tetor.