Sindikata e Ferrokromit mbështet protestat e minatorëve

Pezullimi i punës në minierën e Bulqizës për një kohë të gjatë, rrezikon të sjellë edhe bllokimin e punës në uzinën e Ferrokromit në Elbasan. Sipas kryetarit të Këshillit të Sindikatës së Ferrokromit në Elbasan, Ismet Dauti, uzina e këtij qyteti furnizohet me lëndë të parë nga uzina e Bulqizës.
Ai ka shprehur mbështetjen e protestuesve të Bulqizës, pasi sipas tij kërkesat e tyre janë mëse normale. Sipas Dautit kërkohet një ndërhyrje sa më e shpejtë edhe nga shteti shqiptar e veçanërisht nga Ministria e Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjitikës për zgjidhjen nëpërmjet dialogut dhe sa më parë të problemit.
Lidhur me situatën e krijuar nga protesta e minatorëve të Bulqizës dhe reflektimin e kësaj proteste në Ferrokromin e Elbasanit, administratori i kësaj uzine Fatmir Manushi, shprehet se puna në Elbasan vijon normalisht dhe pa probleme.
Në uzinën e Ferrokromit në Elbasan, punojnë rreth 250 punëtorë, që punojnë në kushte jo nga më të mirat por që sipas tyre situata nuk është alarmante, por çështja e pagesave duhet të rishikohet sërish për të studiuar edhe ndonjë mundësi rritjeje të tyre.