E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sindikata e konsideron vjedhje privatizimin e PTK-së

Federata e Sindikatës së Pavarur e PTK-së (FSP-PTK-së) përmes një letër të hapur në adresë të Presidentes, kryetarit të Kuvendit, kryeministrit, ambasadave të SHBA-së, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe , Bashkimit Europian dhe EULEX-it ka shfaqur shqetësimet lidhur me procesin e hapjes se ofertave financiare për privatizimin e PTK-së.

Është momenti i fundit të ndalet procesi i privatizimit, i cili nuk është privatizim, por vjedhje e pronës publike. Këtë kërkesë e bazojmë në parregullsitë që e kanë përcjellë këtë proces nga fillimi i tij e deri në shpalljen e ofertës, kinse 277 milion euro (çmimi minimal i shitjes së PTK-së bazuar në vlerësimet e shumë ekspertëve të ekonomisë është 800 milionë euro), thuhet në letrën që arriti edhe në adresën e Koha.net. Si mund ta quajmë këtë ofertë serioze kur ofertuesi në fillim ende pa e dhënë asnjë euro kërkon që PTK-ja në momentin e kalimit në pronë të kompanisë AXOS të posedojë 35 milionë euro para të gatshme.

Procesi i privatizimit tani në këtë kohë dhe në këto rrethana është i papranueshëm për punëtorët e PTK-së dhe, duke u bazuar në shumë deklarata publike të qytetarëve të Kosovës, edhe për shumicën e qytetarëve të Kosovës.

Fakti se këtë proces e udhëheqin ata të cilët e kanë nënshkruar kontratën skandaloze për shitje të distribucionit të KEK-ut, na bën edhe më skeptikë se shitja e PTK-së do të jetë e dobishme për punëtorët e PTK-së dhe shtetin tonë.

Procesi i privatizimit të PTK-së është i kundërligjshëm, sepse nuk ka bazë ligjore. Nuk ka vendim të plotëfuqishëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës për miratimin e procesit të privatizimit.

FSP e PTK-së nëpërmes të kësaj letre kërkon që menjëherë të ndërpritet procesi i privatizimit të PTK-së, sepse që në fillimin e tij është i përcjellur me shumë parregullësi.

Duke u bazuar me mos transparencë dhe joligjshmërinë e këtij procesi dhe faktin se asnjë kompani telekomunikuese nuk ka shprehur interes për blerje të PTK-së, jemi të bindur se përfitime nga kjo shitje nuk ka shteti as punëtorët e PTK-së.

Në vazhdim kjo sindikatë jep disa nga argumentet në favor të kërkesës së saj, si: PTK-ja është kompani fitimprurëse e cila me fitimet e veta ka kontribuar në zhvillimin e shtetit. Vetëm në 5 vitet e fundit PTK i ka dhënë më shumë se 400 milionë euro shtetit, çmimi i ofruar prej 242 milionë euro paraqet fitimin e katër-pesë viteve të fundit të PTK-së edhe për kundër faktit se prej datës 20.05.2010 PTK-së i janë bllokuar projektet kapitale të cilat do ta mundësonin afarizmin normal të saj, si dhe disa argumente procedurale, politike e juridike.

Kjo sindikatë po ashtu konsideron se ky proces duhet të ndërpritet edhe sepse, përkundër finalizimit të Marrëveshjes Kolektive në nivel të PTK-së dhe gatishmërisë së personave të autorizuar për legjitimimin e kësaj Marrëveshjeje me nënshkrimin e tyre, z Besim Beqaj për herë të dytë ndërhyn në mënyrë të kundërligjshme dhe pengon nënshkrimin e Marrëveshjes Kolektive të PTK-së, e cila është jetike për punëtorët e PTK-së.

Duke u bazuar në këto fakte FSP-PTK kërkon të pezullohet nënshkrimin e kontratës për shitblerje, të iniciohet hetimin e procesit të privatizimit nga fillimi i tij deri në shpallje të fituesit, si dhe të bëhet hetimi i kontratës për shitblerje të PTK-së dhe publikimi i saj./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›