E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largohet Sekretari i Përhershëm

Është larguar nga detyra Sekretari i Përhershëm në MPB, Ilhami Gashi. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, Gashi sot ka kërkuar shkurtim të mandatit për arsye personale. Mirëpo, burime brenda MPB-së thonë se Gashi është shkarkuar nga ministri Bajram Rexhepi.

Sekretari i Përhershëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, prej javës së ardhshme do të lërë detyrën në këtë ministri. Në njoftimin e Ministrisë thuhet se Gashi, për arsye personale, sot ka kërkuar nga ministri Bajram Rexhepi shkurtimin e mandatit të tij nga kjo pozitë dhe fillimin e procedurave të përzgjedhjes së Sekretarit të Përgjithshëm të MPB-së.

Por, burime brenda kësaj ministrie, thonë se largimi i tij nga detyra vjen pas një varg skandalesh korrupsioni që po hetohen në këtë ministri ku dyshohet se janë keqpërdorur miliona euro, shkruan zëri.

Dy nga më të mëdhatë janë tenderi për pasaportat biometrike dhe ai i targave të automjeteve, ku Gashi ka vënë nënshkrimin në to. Gjithashtu, një nga shkeljet e këtij zyrtari, është përmendur edhe rasti ku Gashi kishte thënë publikisht se Kosova nuk është Bangladesh duke u konsideruar si deklaratë jo e matur në kohën kur autoritete e Kosovës po kërkojnë njohjen nga ky shtet.

Ilhami Gashi do të vazhdojë mandatin e tij si Sekretar i Përhershëm deri në përzgjedhjen e Sekretarit të ri të MPB-së./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›