Sindikatat dhe shoqëria civile reagojnë ndaj kreut të OEK-ut

Një ditë pas deklaratës së kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, se në Kosovë nuk ka papunësi, por ka papunëtorë, i janë kundërpërgjigjur ata BSPK-ja dhe njohësit e fushës së ekonomisë. Sipas zyrtarëve të BSPK-së, nuk është aspak e vërtetë se në Kosovë ka papunëtorë. Ndërsa, përfaqësues të shoqërisë civile thonë se konkurrimi nëpër shpallje publike dëshmon për interesimin e qytetarëve për të punuar, transmeton KTV. Deklarata e kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka ngjallur reagime të shumta.
Kreu i BSPK-së, Haxhi Arifi, ka thënë se është e pakuptueshme dhe i paqëndrueshëm një konstatim i tillë, pasi sipas tij, historikisht shqiptarët janë dëshmuar se janë punëtorë të zot.
Ai ka thënë se po të kishin mundësi të punësohen, askush nuk do ta merrte rrugën e migrimit.
Kundër deklaratës së kryetarit të OEK-ut ka dalë edhe Agron Demi nga instituti GAP, i cili ka thënë se numri i qytetarëve që konkurrojnë për një pozitë pune tregon interesimin e tyre për të punuar.
Demi thotë se asnjë kompani në Kosovë nuk ka kapacitet për t’i pranuar deri në 500 punëtorë, ku sipas tij, edhe berzat e punësimit sezonal nuk është se kanë sjellë ndonjë shifër të kënaqshme të punësimit të qytetarëve.
Shpend Ahmeti nga Vetëvendosje e ka cilësuar si tallje atë që është thënë për ata persona që dëshirojnë të emigrojnë jashtë vendit, me synimin që kanë për krijimin e një jete më të mirë.
Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, ditët e fundit ka thënë se është e vetëdijshme për gjenden e rëndë socio-ekonomike në Kosovë, mirëpo sipas saj, braktisja e vendit dhe kërkimi i azilit nuk është më opsion./Indeksonline./