Sindikatat e Vlorës: Ne i kemi shitur pronat
VLORË- Pjesa më e madhe e pronave të sindikatave në Vlorë janë privatizuar. Sipas Kreut të Bashkimit të Sindikatave të Vlorës, Ymer Yzeiri, pas 17 vitesh që nga kalimi i tyre nën administrimin e sindikatave vetëm një pjesë e vogël vazhdojnë të mbeten në emër të tyre ndërsa të tjerat janë privatizuar nga investitorë të ndryshëm. Sipas tij, nga të paktat që kanë mbetur është ish-kampi i pionierëve në të cilin përkohësisht janë vendosur Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Një tjetër pronë e sindikatave në Vlorë ka qenë edhe ish-kampi i punëtorëve, i cili i është kthyer ish-pronarëve dhe pas një investimi privat është shndërruar në Hotel. Prej vitesh çështja e kësaj ndërtese ka qenë subjekt i një serë gjyqesh midis palëve. Sipas të dhënave, krahas ndërtesave të regjistruara në pronësi të sindikatave ekzistojnë ekzistojnë edhe sasi të konsiderueshme trualli, sipërfaqe të cilat kryesisht ndodhen në Tiranë 500 m², Shkodër 9620 m², Vlorë 1885 m², Pogradec 18003 m², Kavajë 26000 m², Krujë 18300 m², etj. Po ashtu, bëhet me dije se shumica dërrmuese e pronave ekzistojnë të regjistruara në hipotekë në emër të sindikatave.