Zjarri në Qesarat djeg dy shtëpi dhe 1500 rrënjë ulliri
SARANDË -Dy shtëpi janë djegur në fshatin Qesarat, të Komunës së Livadhjasë nga zjarri që ra në një kullotë e më pas mori përmasa të mëdha. Kryetari i komunës së Livadhjasë që ka ndjekur çast pas çasti përhapjen e flakëve tha se është e pafalshme vonesa e zjarrfikësve të Sarandës dhe dezinformimi i përgjegjësit të këtij reparti për dërgimin e ndihmës.
Terreni i thepisur malor e ka vështirësuar ndërhyrjen e njerëzve dhe të mjeteve në vatrën tashmë të zgjeruar të zjarrit, duke e lënë pyllin dhe kullotën të digjen plotësisht. Zjarrfikëset e mbërritura në vendngjarje, pas tre orësh, veç sa kanë regjistruar vatrën e zjarrit pasi ndërhyrja ka qene e pamundur. Për pasojë, sipas burimeve zyrtare është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme pylli e kullote si dhe 1 500 rrënjë ulliri të vjetër. Dëmi më i madh është shkaktuar në fshatin Qesarat, ku rezultojnë dy shtëpi të djegura plotësisht dhe të kthyera në të pabanueshme, ndërsa nuk ka dëme në njerëz, shpend e kafshë.
Në Sarandë ka mbërritur edhe kreu i Emergjencave Civile, Alfred Olli, i cili tha se për tre ditë rresht rajoni Sarandës ka qenë i përfshirë nga zjarret. Komuna më e goditur ka qenë ajo e Livadhjasë. Sipas tij, komisioni i vlerësimit të dëmeve është në ngarkesë pune dhe nuk ka arritur të nxjerrë përfundimisht rezultatin përfundimtar të asaj çfarë kanë gllabëruar flakët e zjarrit në këtë komunë. Ky është zjarri i dytë që bie në këtë komunë, brenda 10 ditëve të Gushtit.
Zjarre në Pukë dhe Durrës, digjen dhjetëra hektarë
dt. 20 gusht
Flakët e zjarrit kanë përpirë hektarë të tërë me pyje në fshatin Iballë të Pukës. Zjarri i rënë mbrëmë, nuk është shuar ende. Po kështu në Spitallë të Durrësit, një zjarr që u ndez mbrëmë ka djegur afro 5 dylym pyje si dhe ka shkrumbuar 1 500 rrënjë ulliri.
Ndërsa në Spitallë flakët janë shuar në Iballë të Pukës ato vazhdojnë të përpijnë pemët. Zjarri po favorizohet nga temperaturat e larta dhe era e fortë. Banorë dhe zjarrfikës ndodhen pranë vatrës dhe po mundohen të shuajnë flakët e mëdha, por vështirësitë rriten për shkak të terrenit të thyer malor ndaj ndërhyrja propozohet të kryhet vetëm nëpërmjet ajrit.
Dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga pakujdesia e banorëve të zonës. Situata është drejt përkeqësimit, duke shkatërruar masivin pyjor që karakterizon zonën e thellë malore të Iballës.