Sindikatat, kundër qeverisë për politika që tentojnë ti shkatërrojnë
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë dhe strukturat e saj drejtuese shprehen të shqetësuara për rolin e sindikatave të arsimit, të cilat mbështesin reformat e fundit në arsim. Në një njoftim për mediat, presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj shprehet se angazhimi i sindikatave si palë me qeverinë në thellimin e proceseve të reformimit të arsimit,
janë një paralele e qartë e aktivitetit socialist të sindikatave ku sipas tij në tre vite kryhen katër reformime. Sipas Nikollës, sindikalizmi arsimor është bërë anemik, me nivel të ulët, pa autoritetin e duhur tek arsimtarët dhe pa imazhin e duhur në publik. Liderët e tyre nuk kanë punuar dhe funksionuar mbështetur në ligjet, statutet dhe rregulloret e sindikatës por kanë punuar dhe vepruar spontanisht, në mënyrë kaotike, duke abuzuar në besimin e anëtarësisë me një formalitet parazitar të theksuar dhe pa unitetin dhe solidaritetin e duhur që është thelbi dhe kolona e çdo sindikate, shprehet kreu i sindikatave, sipas të cilit për këtë, Konfederata e Sindikatave po riorganizon në përputhje me statutin e saj të gjitha strukturat sindikale në sistemin arsimor për ta ndaluar këtë regres sindikal. Qindra, mijëra arsimtarë ndihen sot të tradhtuar jo vetëm nga qeveria por edhe nga sindikatat e tyre. Këto sindikata kanë dalë jashtë funksionit të tyre si mbrojtëse të interesave social-ekonomike të arsimtarëve dhe janë kthyer në një atavizëm të Ministrisë së Arsimit duke u bërë bashkëpunëtorë në diskriminimin e arsimtarëve dhe në ideimin e realizimin e pseudo-reformave që tashmë dihet publikisht që kanë dështuar në sistemin arsimor, shprehet Nikollaj, sipas të cilit është fatkeqësi që sot të dy sindikatat profesionale të arsimit janë jo vetëm jashtë kohës dhe realitetit por dhe jashtë ombrellave konfederatave, të cilat pavarësisht problemeve që kanë, po përpiqen të notojnë në vorbullën e ekonomisë së tregut e të demokracisë tipike shqiptare.
Si funksionojnë sindikatat e arsimit
Sot punojnë më shumë se 40 mijë mësues në sektorin publik e privat ndërkohë që të anëtarësuar në sindikatat e arsimit janë vetëm 4 deri në 5 mijë. Sipas tij, këto sindikata kanë harruar tashmë që jo vetëm Konfederata e Sindikatave por të gjitha sindikatat duhet të punojnë që të përfaqësojnë interesat ekonomike e sociale me qëllim arritjen e standardeve optimale të jetesës së anëtarësisë. Të jenë demokratike, të pavarura, të japin llogari para anëtarësisë dhe të jenë të revokueshme prej tyre. Ky lidership duke anashkaluar këto parime bazë jo vetëm që ka shkelur mbi arsimtarët dhe interesat e tyre por po krijon shumë probleme në fragmentarizimin dhe uljen e imazhit publik të sindikatave. Dhe për këtë sigurisht dhe po shpërblehen në mënyrë të majme nga qeveria dhe politika në tërësi, pohon më tej kreu i Konfederatës së Sindikatave. Sipas tij, tashmë këto sindikata jo vetëm që nuk janë më pjesë e zgjidhjes së problemeve të mësuesve por janë kthyer në një problem më vete për tu zgjidhur nga mësuesit e mashtruar dhe të tradhtuar prej tyre. Liderët e sindikatave të arsimit duke i shmangur qëllimisht strukturat drejtuese, duke shkelur çdo parim të funksionimit demokratik, duke injoruar çdo parim ligjor, statutor dhe moral i kanë kthyer këto sindikata në disa bunkerë ku brenda fshihet paaftësia dhe abuzimi me ligjin dhe moralin dhe jashtë hidhet valle dhe bashkëpunohet në kurriz të mësuesve me koncesione politike dhe ekonomike, nënvizon Nikolla, duke shtuar se bashkëpunimi Sindikata Arsimi-Ministri Arsimi vazhdon ortakërinë në emër të mbështetjes së reformave, arsimit cilësor, punës së fëmijëve, e të tjera slogane sipas tij të ndryshkura, duke dhunuar në kundërshtim me ligjin mësuesit, për tju ndalur pa dëshirën e tyre kuotën sindikaliste. Kreu i Konfederatës së Sindikatave e cilëson këtë veprim antiligjor, i cili sipas tij bëhet për shkak të rritjes artificiale të anëtarësisë dhe të përfaqësueshmërisë sindikale por që dhe nuk u dihet destinacioni dhe përdorimi i tyre.
Nikollaj: Berisha, veprim antiligjor me sindikatat e arsimit
Imoraliteti arrin kulmin kur Kryeministri Berisha me vendimin 132 dt.24.02.2010 i nominon këto dy sindikata si anëtare të Këshillit Kombëtar të Punës, megjithëse janë pjesë përbërëse e dy bashkësive konfederative (KSSH dhe BSPSH). Duhet kuptuar që kjo bëhet që ky lidership të mbyllë gojën për largimet nga puna të mësuesve, për rritjen formale të pagave, për heqjen e pagës së 13, për futjen e taksës së sheshtë, për rritjen e padrejtë të ngarkesës mësimore, për kushtet e këqija të punës, për dhunimet politike dhe psikike që bëhen me reformat e cunguara dhe të përsëritura çdo vit në arsim dhe largimet e pamerituara nga puna etj., etj. Ky veprim antiligjor i kryeministrit dhe ministrit të punës si një provincial pa përvojë politike, një fragmentarizues i minoritetit dhe partisë së tij, një ushtar besnik i kryeministrit, shprehet dhe me blerjen që Ministria e Punës i ka bërë me çmim shumë të ulët këtyre anarkosindikalistëve. Në mënyrë sistematike ata jo vetëm nuk kanë zbatuar kontratën kolektive, por është abuzuar sistematikisht gjersa edhe me urdhëresën e Ministrisë së Arsimit vërehet kushti që kryetari i sindikatës së arsimit të rrethit përfiton nga ngarkesa e orëve mësimore 8-10 orë. Sikur këta të jenë nomenklaturë e punëdhënësit. Dhe mbi bazën e këtij vendimi ju bëhet presion dhe u pritet koka kujtdo sindikalisti të zgjedhur e të besuar në bazë që ngre krye kundër padronit në sindikatë apo në ministri. Kontrata kolektive ka muaj që ka mbaruar dhe në një shou televiziv nënshkruhet një marrëveshje për shtyrje duke përgatitur thikën pas shpine për të gjithë anëtarësinë e mësuesve në kontratën e re, të cilën liderët e dy sindikatave nuk kanë as legjitimitetin, as moralin për të përfaqësuar pasi përfaqësojnë më pak se 1/10 e mësuesve. Këta liderë sindikalë e kanë monopolizuar sindikalizmin arsimor në një grusht arsimtarësh interesaxhinj dhe vetëm në arsimin 9 vjeçar. Ata nga frika dhe nga bashkëpunimi me qeverinë e kanë mbyllur sindikatën për arsimin e lartë për ata qindra pedagogë e profesorë të universiteteve shqiptare të universiteteve publike e jo publike që kanë me qindra probleme e janë lokomotiva jo vetëm e arsimimit në Shqipëri, por e gjithë shoqërisë shqiptare. Ata e kanë mbyllur sindikatën për ata qindra mësues të arsimit privat, të arsimit dhe edukimit profesional që po vuajnë më shumë se arsimi publik për pagat e ulta, nga informaliteti, nga shkelja e dinjitetit profesional, etj.