9 të rinj i shpëtojnë izolimit nga bora në Greqi, riatdhesohen nga policia
vetëm pak metra larg kufirit me Shqipërinë. Shtetasit shqiptarë kanë depërtuar në thellësi të territorit grek nëpërmjet rrethit të Devollit në këmbë, ndësa të ndodhur në një gjendje të rrezikshme kanë kërkuar ndihmë nëpërmjet telefonit në policinë fqinjë. Pas sinjalizimit të kësaj të fundit, një operacion i gjerë shpëtimi që ka nisur menjëherë, ka bërë të mundur shpëtimin e klandestinëve shqiptarë, të cilët pasi janë marë në pyetje nga policia greke janë kthyer në pikën kufitare të Kapshticës gjatë mesditës të të hënës. Për fat të mirë, kalvari i mundimshëm i shqiptarëve ka përfunduar pa ndonjë tragjedi. Burime të policisë kufitare në vendkalimin kufitar të Kapshticës bëjnë të ditur për gazetën se gjendja e shtetasve shqiptarë të kthyer pas nga policia greke është e mirë dhe falë ndërhyrjes së saj në kohë, ata nuk kanë rrezikuar. Të njëjtat burime saktësojnë se shtetasit shqiptarë janë të rinj të moshave nga 17 deri 26 vjeç, të cilët pasi kanë marrë rrugën më këmbë për të ikur nga mali në drejtim të Greqisë kanë ndërprerë udhëtimin për shkak të dëborës së dendur, trashësia e të cilës kalonte të 60 centimetrat. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se bëhet fjalë për nëntë të rinj nga Peqini dhe Lushnja, që kanë mbetur të bllokuar në dëborë për afro 24 orë. Klandestinët nga Peqini dhe Lushnja kanë kërkuar ndihmën e policisë greke, e cila është vënë në alarm duke ndërmarë një operacion shpëtimi urgjent me mjete të specializuara për këtë qëllim. Grupi i emigrantëve klandestinë të gjithë në moshë të re, ka humbur në zonën në afërsi të qytetit turistik të Kosturit. Pas sinjalizimit për ndihmë, emigrantët janë gjetur nga ana e palës greke në thellësi të zonës dhe menjëherë është bërë riatdhesimi i tyre në pikën kufitare të Kapshticës. Emigrantët mësohet se ishin nisur ditën e dielë dhe janë gjetur pas dy orë kërkimesh pasi është lokalizuar vendndodhja e tyre. Mondi Paja 26 vjeç, Besim Kashari 17 vjeç, Klement Suli 20 vjeç, Hajri Sulko 23 vjeç, Valter Elezi 22 vjeç, Ariel Xhaja 20 vjeç, Tomorr Sulko, 24 vjeç, Kreshnik Sulko 22 vjeç dhe Servet Sulko 22 vjeçar janë të mbijetuarit nga acari dhe dëbora në shtetin grek.
I. Frasheri