E Diel, 1 Nëntor 2026

... Në shtëpinë, ku nuk ka ushqim për zemrën!

Gjendja e vrazhdë shpirtërore që shkakton Kamyja kur njihesh me dramën e tij të vetme, “Keqkuptimi”, një vepër antologjike e dramaturgjisë botërore, - të zhyt në nënshtresa psikologjike që nuk është e vështirë të lexohen në një vend si ky yni.
Nënë e bijë, që jetojnë në një bujtinë, arrijnë të jenë edhe vrasëset e djalit të tyre, të rikthyer pas 20 vitesh. Vrasja e egër që Kamy bën, emocionalisht nuk mund të zbërthehet duke shkaktuar vetëm tronditje, se pse nëna bëhet vrasëse e dashurisë së fëmijëve të saj. Pse vajza urren deri në egërsi dhe pa mëshirë duke kërkuar me egoizëm dashurinë e asaj që e lindi. E vendosur kjo situatë në një skenë të improvizuar në një lokal-kështjellë, ku trarët dhe tymi i qirinjve jep misticizmin e kryerjes së krimit, ku vega që mbledh perin shndërrohet në një tufë të ngatërruar në simbol të ngjarjes së pazgjidhshme, ku veshjet e aktoreve tregojnë varfërinë e natyrshme të shqiptarëve në zona të thella, izoluese, si ngjyrë e gjendjes së brendshme ku ndodhemi. Regjisorja, në vitin e katërt të Akademisë së Arteve, Oriana Cama, për këtë është “përndjekur”, pse pati guximin të hiqte disa rregulla kritikësh për skenën. Nuk ishte punë studentësh shfaqja e Kamysë nga aktoret profesioniste Adriana Tolka në rolin e nënës dhe Esmeralda Metka që e thërrasin në shoqëri, Cubi, por një shqetësim i fortë, për të kuptuar arsyet pse një regjisore 20-vjeçare merr riskun për një nga veprat më të vështira skenike. Në mënyrë korrekte Cama nuk devijon tekstin, ruan brishtësinë e arsyes së saj se shoqëria jonë është e egër dhe nuk ka komunikim. Forma e thjeshtë e shfaqjes, pa sforcuar qëllimin psikologjik që ta detyron Kamy - i ka ngutur kritikët që t’i “sulmojnë” deri në keqkuptim real të Kamysë pse, fjala vjen, shkrimtari francez ka vendosur që nënën ta bëjë vrasëse të të birit. Kamyja depërton në skutat më të errëta të ndjeshmërisë së individit, e sidomos femëror, nisur dhe nga një përvojë personale, ai nuk humbet rastin që ta shpallë mesazhin e tij mbi dhimbjen dhe vuajtjen që i shkaktohet. Për këtë shkroi “Keqkuptimin” për të marrë vesh se si pëson metamorfozë energjia e brendshme e njeriut, e asaj që quhet dashuri. Mbi këtë arsye flasin dy aktoret e reja, Adriana Tolka dhe Esmeralda Metka, aktore profesioniste, që i kanë hyrë teatrit me besimin e ekzistencës së dashurisë, përndryshe nuk kishin për të pranuar të luanin me Kamynë. Për “standard” është një bisedë mes tyre, ku shfaqet rebelimi dhe qartësia çfarë i duhet një teatri sipas idealit të tyre.

Jeni nënë e bijë në teatrin e Kamysë, situatë sa absurde, aq dhe reale, ku po shkojnë marrëdhëniet në familje sot. Çfarë ju ka shkaktuar në ndjeshmëri ky rol?

Adriana Tolka: Jam përpjekur të vihem në pozitat e nënës sime, në çastet midis meje dhe saj janë krijuar hone në etapa të caktuara të jetës sonë të përbashkët. Por dhe në mes të kësaj ftohtësie që duket se qëndron mes një nëne dhe një bije, mendoj se dashuria e nënës ndaj fëmijës i superon të gjitha dashuritë.

Esmeralda Metka: Është një ndjesi akonceptuale. Në jetën e përditshme, njeriu ka pa diskutim dy planet e veta, të dukshmin dhe atë të padukshmin, pikërisht i padukshmi dominon tek i dukshmi në dëshirat ëndrrat dhe ndjesitë e tij. Dhe pikërisht duke dominuar me këto ndjesi, harron që përballet me fakte konkrete si për shembull kur përballet me nënën, që është një raport shumë më tepër njerëzor se sa mund të të japë imazhin e ftohtësisë që ka Kamyja. Duke marrë parasysh që kërkojmë të përballemi me këto dëshira të tonat. Në rastin konkret në personazh, unë, duke qenë përballë nënës zhbëj faktin që ajo është nëna dhe në plan të parë vendos dëshirat dhe ndjesitë e mia.

A mendoni ju të dyja që në një realitet si ky yni ndjesitë e një nëne, një vajze apo të një gruaje janë të lira?

Esmeralda Metka: Për mendimin tim, ndjesitë janë të lira thjesht për t’u shprehur, për t’u realizuar apo për të qenë sa më konkrete këto ndjesi janë të ndrydhura, s’janë më të lira.

Adriana Tolka: Në shoqërinë tonë është e rëndësishme se sa të lirë të shohin të tjerët, jo vetëm se si e ndien ti veten. Ne, që kur lindim, dhunohemi nga babai, ca më vonë nga vëllai, nga burri, nga kolegu etj. Thuhet që bota rrotullohet rreth femrës, por - ndoshta - dora që e vërtit është thellësisht maskiliste.

Diku në një nga fragmentet e rolit të bijës, Martës, Kamy vë shprehjen tronditëse - ndodheni në një shtëpi ku nuk ka ushqim për zemrën? Sa jeni pjesë e tronditjes së Kamysë edhe ju apo e keni marrë atë thjesht si filozofi ekzistenciale?

Esmeralda Metka: Unë personalisht, pa diskutim që nuk e kam këtë tronditje pjesë të jetës që më rrethon. Por Kamy është normalisht filozof ekzistencial dhe fjalia që përmendni, vihet në gojën e së bijës, Martës, si situatë kulmore e veprës, ku do të thotë se të gjitha personazhet përplasen dhe vijnë rrotull këtij realiteti të vrazhdë. Unë, pra, s’jam pjesë e kësaj tronditjeje, por brenda personazhit krijoj refleksionin në publik.

Adriana Tolka: Shtëpia ime në këtë rast do të ishte jeta ime e përditshme në rrugë, në punë, që ndikojnë drejtpërsëdrejti në qelizën e shoqërisë, që është familja. Këto strese, pa dashje, i mbartim edhe në familje. Trysnojmë pa dashje njerëzit që duam më shumë, na trysnojnë, por në fund ai që mbetet është përqafimi. Këto gjeste të vogla, të ngrohta janë buka e përditshme, që ne me shumë mund arrijmë t’ia ushqejmë njëri-tjetrit.

A mendoni, se ne, si shoqëri, dimë të japim dashuri, apo bashkoheni me mendimin e regjisores tuaj që jemi të egër dhe na mungon komunikimi?

Adriana Tolka: Tek çdo njeri ka dashuri dhe duhet të dish ta vjelësh atë. Në rrjedhën logjike që Kamy i ka vënë ngjarjet në këtë vepër, njeriu është i ftohtë dhe i egër, sidomos në një relacion familjar ku zymtësia ka mbytur çdo ndjesi që të çon tek dashuria. Instinkti i nënës, edhe pse vret të birin, nuk është mungesë e dashurisë, por është një shoqëri e tërë që ka ngritur, dhe detyruar Kamynë të krijojë atë mendim ekzistencial, pavarësisht se na duket i ashpër, por fundja siç e pamë edhe në shfaqje publiku u prek, ndjeu dhimbje. Dhe këto ndjesi që shkakton Kamyja pavarësisht anës së errët patjetër që flasin për dashuri të pamundura, kjo na ndodh edhe ne pavarësisht mendimit tim për shoqërinë tonë të sotme.

Esmeralda Metka: Në jetën tonë, në shoqërinë ku jetojmë, pa diskutim ekziston dashuria, ndryshe nuk do luanim dot as Kamynë. Ndërsa për sa i përket këtij autori, pra Kamysë, dashuria ekziston, por në formën e saj egoiste më të mundshme. Dashuri e vrazhdë dhe dashuri sakrifikuese. Mbi të gjitha ekzistenciale, sepse kjo është forma që Kamy na ofron për dashurinë.

“Keqkuptimi” i Kamysë vjen për herë të parë i plotë. E cilësuar një vepër e vështirë, që kërkon ankthe të brendshme, si e shikoni tani - pasi kjo vepër është edhe në konkurrim për Çmimin e Pavarësisë në festivalin e parë të Suharekës - ku aq më tepër ju eksperimentuar duke improvizuar jo mjedise teatri, në një skenë të zymtë, alla shqiptare?

Esmeralda Metka: Nuk do të thosha që njeh ankthe të brendshme kjo vepër. Por kjo njihet për plane të dyta dhe të treta të pafundme, që Kamy nuk na i ka kursyer. Pikërisht këto plane të dyta e bëjnë që ajo të jetë një vepër e fortë në konkurrim, ku patjetër jemi pretendentë. Sa i takon skenës alla shqiptare, ky është këndvështrim regjisorial. Dhe kjo është e vetmja mënyrë për ta sjellë Kamynë për publikun shqiptar, ndryshe nuk e percepton dot Kamynë francez.

Adriana Tolka: Kjo na shti edhe më tepër dëshirën, që shfaqjet e kësaj vepre të kenë vazhdimësi, për të gjetur një publik të ri, siç e patëm në Tiranë, në shfaqjet e para, ndoshta edhe kritik por jo cinik.

Në fakt, kritika në festival debatoi duke e quajtur një punë studentësh, harroi debatin e aktorit dhe filozofinë ekzistenciale të autorit. A keni besim te kjo kritikë, çfarë ju duhet t’i dëgjoni apo dhe mos t’i dëgjoni ato?

Esmerlada Metka: Absolutisht jo, nuk kemi më besim tek kritikët tanë. Kritika harroi që kjo ishte vërtet një punë studentësh, por një punë e bërë me mjeshtëri nga dy aktore profesioniste dhe harroi faktin që ato shfaqje të ashtuquajtura profesioniste ishin ekstremisht aprofesionale në lojën e tyre aktoreske dhe regjisoriale. Kjo bëri që në kritikën ndaj veprës sonë të ndodhte vërtetë absurdi - të devijohej Kamyja ekzistencialist, domethënë të kritikohet vetë shkrimtari francez për ngjarjen e pjesës. Dhe për këtë arsye harruan të merreshin me lojën e aktorëve, të regjisores, duke u marrë me karriget e shfaqjes. Misioni i kritikës në Shqipëri është të dështojë shfaqjen ose t’i lavdërojnë kur ato nuk janë shfaqje.

Adriana Tolka: Kritika priten gjithmonë, ato janë të pritshme. Por, tek dëgjoja pseudo-kritikën ndaj kësaj shfaqjeje, u shokova. Mes pseudo-kritikëve më bëjnë më tepër përshtypje ata, të cilët pa kuptuar dramaturgjinë, guxonin të gjykonin - si të mësosh zh-në pa ditur a-në. Pra, më thoni në këtë rast, çfarë mund t’i besojmë kësaj kritike!?

Çfarë e bën të vështirë ekzistencën tuaj si aktore?
Adriana Tolka: Ekzistencën time si aktore e bën të vështirë psikologjia komuniste që vazhdon të jetë e ndjeshme në Shqipëri, e cila nuk jep barazi në shanse siç duhet ta ketë një botë e qytetëruar demokratike, por imponon barazi vlerash që është gjëja më shtypëse për një individualitet që kërkon të realizohet me anët më të mira që i ka falur Zoti.

A ëndërroni Teatrin Kombëtar apo që një regjisor t’ju zbulojë?

Adriana Tolka: Nuk kam ç’të zbulohem më, sepse jam e njohur në të gjithë rrethin teatror të Teatrit Kombëtar, paçka se emri im me raste mund të mos pëlqehet, të lakohet. Pas një eksperience me disa punë brenda Teatrit Kombëtar, si aktore e jashtme, tanimë nuk jam e bindur, nëse dua të jem vërtet një aktore e këtij teatri me fytyrën që ka sot.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›