E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënimet alternative, 807 të dënuar të liruar nga burgu

Vuajtja e dënimit në burg prej 8 muajsh nuk është alternativa e vetme në Shqipëri. Të paktën 807 të dënuar kanë filluar që vuajtjen e dënimit ta ekzekutojnë në banesat e tyre, duke i dhënë prova drejtësisë dhe strukturave të tjera që e mbështesin këtë mënyrë të vuajtjes së dënimit se kanë për synim riintegrimin në shoqëri dhe se është një mënyrë efikase për të mos prodhuar një kontigjent kriminal, por njerëz të vlefshëm për sistemin tonë shoqëror. Prej më se tetë muajsh në Shqipëri ka nisur të funksionojë një institucion i ri i ngritur për herë të parë dhe që synon të ndikojë në riintegrimin e personave që kanë kryer një vepër penale dhe që dënimin nuk e vuajnë në qelitë e burgut, por mes njerëzve të lirë. Bëhet fjalë për Shërbimin e Provës, i cili, ndonëse pa një përvojë të mëparshme në vendin tonë, ka shënuar arritje të dukshme, të cilat janë vetë të dënuarit që kanë përfituar nga ky shërbim që na e deklarojnë dhe demonstrojnë përmes veprimtarisë së tyre të përditshme. “Kjo mënyrë e vuajtjes së dënimit na ndihmon realisht të integrohemi në shoqëri, na bën të na kthehet dinjiteti, nuk na shndërron në një kontigjent kriminal. Dashur pa dashur, kur ndodhesh brenda mes kriminelëve është e vështirë të dalësh siç ke hyrë, me atë mentalitet, me të njëjtën edukatë apo moral që ke marrë përmes edukimit tënd në familje dhe shoqëri”, - shprehet për gazetën “standard” S. P., një nga të dënuarit që prej disa muajsh ka përfituar nga Shërbimi i Provës si i liruar me kusht, ndërkohë që ka pas daljes nga burgu ka filluar një punë dhe po mundohet të rifitojë ritmin e humbur pak vite më parë.

Funksionimi i Shërbimit të Provës

Aktualisht, sipas drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit të Provës, Arben Sefgjini, kjo drejtori ka vetëm 4 Zyra Vendore me vendndodhje në qytetet Shkodër, Tiranë, Durrës dhe Fier, të cilat i shtrijnë kompetencat tokësore të tyre në rrethet gjyqësore të përcaktuara në urdhrin e ministrit të Drejtësisë. Kreu i këtij shërbimi, z. Sefgjini, nuk heziton aspak të në shpjegojë me detaje rolin e një specialisti të Shërbimit të Provës, duke theksuar se “punonjësi i Shërbimit të Provës interviston të dënuarin dhe persona të tjerë për të cilët gjykon se ka interes; analizon personalitetin e të dënuarit, kushtet familjare e shoqërore, rrezikshmërinë e autorit të veprës penale; përgatit raportet e vlerësimit për gjykatën ose prokurorin; harton planet e trajtimit të të dënuarit që shërbejnë për riintegrimin e tij në shoqëri etj.”. Megjithatë, ky shërbim, ndonëse në fazat e tij fillestare, sipas z. Sefgjini, punon në komunitet me ata që kane kryer vepra penale me rrezikshmëri të çdo niveli, kryen të gjitha procedurat ligjore për mbikëqyrjen e të dënuarit në komunitet në periudhën e provës.

Ulja e mbipopullimit në burgje

Referuar të dhënave zyrtare të Shërbimit të Provës, deri në fund të kësaj jave, ky shërbim mbikëqyr rreth 807 të dënuar. Mbikëqyrja për secilin prej tyre realizohet mbi bazën e programeve individuale të trajtimit. Sipas drejtorit Sefgjini, nëse nuk do të ishin aplikuar alternativat e dënimit me burgim sikurse ishte në Kodin Penal, atëherë këta 807 persona do të ishin duke vuajtur dënimin me burg. “Ky numër përbën numrin e të burgosurve të një burgu të madh, që nuk ndodhen në qelitë e burgut, por në komunitet nën mbikëqyrjen e punonjësve të Shërbimit të Provës në gjithë territorin e vendit”, - rrëfen për gazetën “standard” drejtori i Përgjithshëm, Arben Sefgjini.

Dënimi alternativ, “punë me interes publik”

Drejtori i Përgjithshëm, Arben Sefgjini, na tregon se një aspekt tjetër që duhet evidentuar në këtë shërbim është edhe aplikimi nga gjykata i nenit 63 të Kodit Penal në dhënien e dënimit alternativ “punë me interes publik”. Numri i të dënuarve me “punë në interes publik” në të gjithë vendin është 45 persona. I pyetur nëse ka filluar të aplikohet apo jo dënimi alternativ “dënimi në gjysmëliri”, z. Sefgjini shprehet se ende nuk ka filluar të aplikohet në asnjë nga zyrat që ai ka në vartësi. Ndërkohë që kreu i këtij i kësaj drejtorie na rrëfen se ka filluar nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit me bashkitë dhe komunat e vendit, thelbi i së cilit është sigurimi prej tyre i vendeve të punës pa pagese për personat me banim në komunitetin e tyre, për të cilët gjykata ka dhënë si masë alternative punën me interes publik apo edhe për rastet e dënuarve me dënime të tjera alternative për të cilat pushteti vendor është drejtpërdrejt i interesuar me qëllim garantimin e sigurisë publike të komunitetit dhe riintegrimin në shoqëri të personit të dënuar që është anëtar i atij komuniteti. Gjithashtu, sipas z. Sefgjini, kanë filluar procedurat ligjore për realizimin e marrëveshjeve me disa OJF dhe së shpejti pritet që të ketë një nënshkrim të tyre. Ndërkohë që për këtë vit deklarohet se do të ketë ngritje të zyrave të reja të Shërbimit të Provës, konkretisht në Gjirokastër dhe Korçë.

Të dënuarit përfitues në katër zyrat, muajt qershor-dhjetor 2009

418 të dënuar me dënime alternative janë në territorin që shtrin kompetencat Zyra Vendore Tiranë

102 të dënuar me dënime alternative janë në territorin që shtrin kompetencat Zyra Vendore Durrës

111 të dënuar me dënime alternative janë në territorin që shtrin kompetencat Zyra Vendore Fier

74 të dënuar me dënime alternative në territorin që shtrin kompetencat Zyra Vendore Shkodër

27 është numri mesatar i të dënuarve që mbikëqyr çdo specialist i Shërbimit të Provës në nivel vendi

49 është numri i të dënuarve që mbikëqyr çdo specialist i Shërbimit të Provës në Zyrën Qendrore të Tiranës

581 persona janë dënuar nga gjykata duke aplikuar nenin 59 të KP “Pezullim i ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënia në provë”, shifër kjo e barabartë me 82.41% të të gjithë të dënuarve me dënime alternative.

6 persona janë dënuar nga gjykata, duke u aplikuar neni 59/a i KP “Qëndrim në shtëpi”, shifër kjo e barabartë me 0.85% të të gjithë të dënuarve me dënime alternative.

45 persona janë dënuar nga gjykata, duke u aplikuar neni 63 i KP “Pezullim i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe detyrimi për kryerjen e një pune në interes publik”, shifër kjo e barabartë me 6.38% të të gjithë të dënuarve me dënime alternative.

73 persona janë dënuar nga gjykata duke u aplikuar neni 64 i KP “Lirim me kusht”, shifër kjo e barabartë me 10.36% të të gjithë të dënuarve me dënime alternative.

Specialisti Tanku: Si procedohet me një të dënuar të liruar me kusht

Aplikimi i Shërbimit të Provës përgjatë këtyre 8 muajve ka bërë të mundur që rreth 807 të dënuar të lënë qelitë, ndërkohë që numri i kërkesave për lirime me kusht dhe qëndrimin në shtëpi sa vijnë e shtohen në gjykatën e Tiranës. Nga të dhënat zyrtare marrë në gjykatë, çdo ditë shqyrtohen mbi 10 kërkesa të tilla, ndërkohë që bazuar edhe në raport-vlerësimet e specialistëve të Shërbimit të Provës, pjesa më e madhe e këtyre kërkesave pranohen. Të interesuar për punën e një specialisti, kontaktet e tij të fillimit me një të dënuar që ka bërë kërkesën të përfitojë apo ka përfituar lirim me kusht, kontaktojmë me specialistin e zyrës së Tiranës, Kreshnik Tanku. Specialist qysh nga fillimi i këtij shërbimi, z. Tanku na tregon procedurat që ndiqen fillimisht dhe më pas na mundëson të kontaktojmë edhe një përfitues të dënimit alternativ “lirim me kusht”. “Fillimisht në zyrën tonë vjen urdhri i ekzekutimit të vendimit të gjykatës nga prokurori dhe më pas hapet dosja personale të të dënuarit. Më pas, brenda 5 ditëve bëhet njoftimi i të dënuarit me anë të postës dhe nëse nuk i përgjigjet njoftimit të parë përsëritet edhe një njoftim i dytë me afat 5-ditor. Në momentin që i dënuari paraqitet në zyrë, mbahet procesverbal për paraqitjen dhe bëhet një pyetësor që plotësohet nga i dënuari. Pastaj specialisti përgatit një program individual në dy kopje dhe i bën të ditur të dënuarit se duhet të paraqitet 1 herë në javë pranë kësaj zyre”, - shprehet specialisti Tanku. Më pas, sipas tij, të dënuarit të punësuar i bëhen kontakte të lajmëruara dhe të paralajmëruara në vendin e punës, shkollë apo dhe shtëpi, për të vëzhguar më nga afër aktivitetin ditor të tij.

Dosja e të dënuarit

Në dokumentet që përpilohen për të dënuarit që përfitojnë dënimin alternativ pasqyrohen të dhënat personale të të dënuarit, përshkrimi dhe analiza e veprës penale të kryer prej tij, qëndrimi i autorit të veprës penale ndaj veprës së kryer prej tij, përshkrimi dhe analiza e autorit të veprës penale përfshirë jetën dhe historinë personale të autorit që ka lidhje me veprën penale, analiza dhe vlerësimi i rrezikut që nënkupton rrezikun e përsëritjes së veprave penale prej autorit; përshkrimi dhe analiza e ekzekutimit të vendimit të gjykatës përfshirë sipas rastit informacionin në lidhje me programin e mbikëqyrjes dhe masat e marra për të adresuar nevojat kriminogjene të të dënuarit; sjelljen dhe progresin e bërë nga i dënuari gjatë ekzekutimit të dënimit; qëndrimi i të dënuarit ndaj viktimës; gjendjen familjare, rrethanat sociale të të dënuarit dhe planet konkrete për riintegrimin e tij social pas lirimit të tij me kusht etj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›