E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sindromi "Guantanamo"

Pasi që "Monitori" shkroi për keqtrajtimin e shqiptarëve të arrestuar në aksionin "Fluturimi i shqiponjës" nga ana e policisë malazeze, Prokurorja e shtetit Vesna Medenica paralajmëroi se do ta hetojë rastin dhe (eventualisht) t`i dënojë fajtorët. Pra, "Monitori" përmbushi detyrën e medies së pavarur: zbuloi dhe sinjalizoi rastin e shkeljes së lirive qytetare.
Për fat të keq, këtu përfundon lista e punëve të kryera si duhet në këtë rast, sepse është evidente se policia nuk e kreu në mënyrë profesionale këtë punë, ashtu siç është evidente se Prokurorja e shtetit duhej të reagonte më parë, duke mos pritur mediat, sepse, ka pasur arsye për reagim, madje alarmante.
Mu në fillim të kësaj ngjarjeje, Amnesty International, organizatë kjo me renome botërore dhe laureate e Çmimit Nobel, raportoi se ekzistojnë dyshime serioze se policia i ka keqtrajtuar shqiptarët e arrestuar dhe të dyshuar për terrorizëm. Duke u bërë thirrje autoriteteve malazeze që të zbatojnë hetimin e gjithanshëm dhe të paanshëm lidhur me akuzat për keqtrajtimin policor të të burgosurve, Amnesty International kërkoi nga Mali i Zi, si vendi më i ri anëtar i Kombeve të Bashkuara, që t`i përmbushë premtimet mbi respektimin e detyrimeve ndërkombëtare, përfshirë edhe Konventën kundër torturës dhe formave të tjera mizore dhe antihumane të ndëshkimit. Në fund, Amnesty International u bëri thirrje autoriteteve të Malit të Zi që sa më parë dhe në mënyrë të paanshme të zhvillojnë procesin gjyqësor ndaj të arrestuarve në Malësi, në mënyrë që ose të gjykohen ose të lirohen nga aktakuzat. Siç thotë populli, të mos kalben në burg.
Mirëpo, kjo nuk u bëri ndonjë përshtypje të veçantë organeve shtetërore malazeze. Në deklaratën për "Monitor", avokati Dragan Preleviq thotë se disa nga të burgosurit ia treguan lëndimet e marra nga rrahjet brutale të policisë përfaqësuesit të Prokurorisë.
As ky fakt nuk u bëri përshtypje kompetentëve.
Policia dhe prokuroria duhet të bëjnë shumë më tepër për t`i bindur qytetarët dhe opinionin publik se ky është vërtet një Mal i Zi i ri dhe demokratik, i cili la prapa terrin e viteve të 90-ta të shekullit të kaluar. Sepse, ende ka mbetur në kujtesë të freskët torturimi i paparë të cilit i kanë qenë nënshtruar anëtarët e pafajshëm të SDA-së. Policia asohere i torturonte vetëm për shkak se ishin boshnjakë. Më vonë u vërtetua pafajësia e të torturuarve, mirëpo xhelatët ishin të mbrojtur dhe i shpëtuan dënimit. Ata ushtronin torturë në emër të shtetit dhe shteti i mbrojti ata. Në vend që dajakxhinjtë të dënoheshin, nga paratë e të gjithë qytetarëve të Malit të Zi u desht t`u paguhet dëmshpërblimi boshnjakëve të torturuar. Thelbi i çështjes është ky: përse tani u torturuan shqiptarët?
Kompetentët pohojnë se kanë prova të forta kundër të burgosurve. Po të jetë kështu, pse tentuan t`ua nxirrnin me dajak pranimin e fajit? Pas gjithë asaj që ndodhi, pakkush beson në efektivitetin e policisë malazeze, të cilin e trumbetojnë funksionarët e lartë të policisë. Ku janë vrasësit e Srgjan Vojiçiqit dhe urdhërdhënësit e sulmit ndaj Brkoviqit? Pas ekspertizës nga Visbadeni, në të cilën thuhet se në pushkën nga e cila u vra Dushko Jovanoviq nuk ka gjurmë të të akuzuarit Damir Mandiq, kurse as gjurmët nga rrobat e Mandiqit nuk përputhen me gjurmët nga Golfi 3 nga i cili është qëlluar Jovanoviqi, rasti gjoja "i zgjidhur" është mbi këmbë të brishta.
Apo kemi të bëjmë me faktin se policia është mësuar të rrahë pa u dënuar nga askush? Në librin "Kutia e zezë" Sheki Radonçiq citon profesorin Vojin Dimitrijeviq i cili e ilustron kësisoji pushtetin e pakufizuar të policisë në shoqëritë ku mungon liria: "Kur hulumtuesit e Këshillit të Europës gjatë kohës së sundimit të huntës ushtarake në Greqi, hulumtuan rastet e torturës policore, i pyetën qytetarët e atjeshëm: "A ka këtu torturë policore". "Jo, nuk ka", thanë ata. "A ju rrahë policia?" "Po na rrahë." "Po ç`është kjo veçse torturë policore?". "Jo, nuk është, sepse policia ka të drejtë të rrahë", u përgjigjën qytetarët.
Ky rrëfim u përngjan jashtëzakonisht shumë rrethanave malazeze. Por Mali i Zi duhet të dalë sa më parë nga kjo situatë. Ajo i takon epokës së stalinizmit, e jo epokës së integrimeve europiane.
Poenta është kjo: parimi se qëllimi i mirë arsyeton mjetin, më në fund duhet të flaket. Mjaft më me gjëra të tilla. Me pretekstin për ta ruajtur gjoja paqën në Mal të Zi, në luftëra dhe krime ndiqej besnikërisht Millosheviqi dhe Serbia. Për të arritur deri te pavarësia, "pastroheshin" biografitë, shlyhej e kaluara luftarake, zbardhej ekonomia e zezë dhe gri, kthehej koka më një anë para kriminalitetit "shtetformues". Aty ku qëllimi e arsyeton mjetin, së fundi vjen një faturë e rrezikshme: pasojat e këtyre "mjeteve" pashmangshmërisht e rrezikojnë edhe vetë qëllimin.
Mali i Zi është tepër i vogël dhe i ri për ta imituar Amerikën dhe për t`i pranuar metodat e saj në luftën kundër terrorizmit. Ajo që u lejohet të mëdhenjve, të vegjëlve nuk u lejohet. Ambasada amerikane i dërgoi notë proteste Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malit të Zi për shkak të keqtrajtimit të shtetasve të saj Kolë e Rrok Dedvukaj dhe Sokol Ivanaj të burgosur gjatë aksionit në Tuz. Ajo që më së paku na nevojitet, është sindromi Guantanamo në Spuzh. (Monitor)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›