Siri, rebelët sulm autokolonës së Assadit, qeveria e mohon
Rebelët sirianë njoftuan ndërmarrjen e një sulmi të armatosur ndaj karvanit të makinës së presidentit Bashar al-Assad.
Më herët Islam Alloush, militant i brigadës Liwa al-Islam tha për agjencinë e lajmeve Reuters se raketat e rebelëve kishin goditur karvanin e makinave që shoqëronin presidentin sirian. Ai tha se sulmi është ndërmarrë në kohën kur autokolona e presidentit ishte drejtuar për tek xhamia Anas bin Malek në kryeqytet.
Por sulmi është mohuar nga Ministri sirian i Informacionit. Omran Zoabi tha se pretendimet për sulm ndaj kolonës së automjeteve që shoqërojnë presidentin janë ëndrra dhe iluzion.
Pak momente pas dhënies së lajmit të sulmit, Bashar al Assad u shfaq në pamjet e transmetuara nga televizioni shtetëror në Damask. Ai ndodhej në xhami për të festuar përfundimin e Muajit të Ramazanit dhe Bajramin e Madh i rrethuar nga besimtarë të tjerë.
Ndërkohë, Al Jazeera njofton se rrugët që të çojnë në al-Rawdha, pranë Damaskut, aty ku Assad ka zyrat dhe shtëpinë e tij, janë bllokuar si masa sigurie para lëvizjes së presidentit drejt xhamisë.
Siria është përfshirë prej më shumë se 2 vitesh në një konflikt të armatosur që tashmë ka marrë përmasat e një lufte civile. Grupet opozitare, edhe pse të përcara, kërkojnë largimin e Assad nga pushteti, ndërsa ky i fundit i quan ata terroristë.