Venezuelë, Gjykata Supreme refuzon apelimin e Capriles
Gjykata më e lartë e Venezuelës ka refuzuar apelimin e liderit të opozitës, Henrique Capriles, kundër rezultatit të zgjedhjeve të kontestuara të muajit prill.
Gjykata Supreme e Drejtësisë e përshkroi apelimin si të papranueshëm. Pas këtij vendimi, Capriles dha një mesazh në Twitter, ku theksoi se ka mungesë drejtësie në Venezuelë.
Nicolas Maduro, pasardhësi i përzgjedhur nga Hugo Chavez, fitoi zgjedhjet me më pak se 1,5% të votave, apo afro 200 mijë vota më shumë. Opozita akuzoi se votimi ishte njollosur nga manipulimi.
Në qershor, Komisioni Kombëtar Zgjedhor i Venezuelës (CNE) konfirmoi fitoren e presidentit Maduro, pas një auditi të miliona votave, por Capriles denoncoi auditin si të rremë.
Në vendimin e së mërkurës, gjykatësja Gladys Gutierrez tha se opozita nuk kishte ofruar prova të mjaftueshme për të mbrojtur pretendimet e tyre.
Apelimi ishte dorëzuar nga Capriles, koalicioni opozitar dhe shumë qytetarë. Të martën, Capriles kritikoi vonesën e gjykatës në marrjen e një vendimi dhe tha se do ta çonte çështjen në trupën ndërkombëtare.
Zgjedhjet e prillit u mbajtën pas vdekjes së presidentit Chavez, më 5 mars, pas një beteje të gjatë kundër kancerit.