E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siri, terroristët ekzekutojnë dy kolonelë të ushtrisë

Agjencia shtetërore e lajmeve e Sirisë raportoi sot se persona të armatosur, që sipas agjencisë i takonin një “grupi të armatosur terrorist”, kanë vrarë dy kolonelë të ushtrisë në qytetin Alepo, që është bazë e fortë e mbështetjes për presidentin Bashar al-Asad.

Mësohet se oficerët e lartë po shkonin në punë, teksa u vranë në qendër të qytetit.

Kryengritja tashmë njëvjeçare kundër regjimit të presidentit Bashar al-Asad, është shndërruar gjithnjë e më tepër në konflikt të militarizuar, por qyteti Alepo, në masë të madhe, ishte i liruar nga përleshjet ndërmjet forcave qeveritare dhe kryengritësve.

Megjithatë, nga dy sulme misterioze me bomba në qytet këtë muaj, mbetën të vrarë 29 persona.

Nga ana tjetër, në provincën qendrore Hama, kryengritësit kanë sulmuar një kamion ushtarak dhe i kanë vrarë dy ushtarë, kanë thënë aktivistët.

Përleshje të reja ndërmjet trupave qeveritare dhe dezertorëve të ushtrisë kishin ndodhur edhe në pjesën veriore dhe jugore të këtij vendi.

Aktivistët raportojnë se forcat e sigurisë kanë vrarë së paku 11 civilë në gjithë Sirinë gjatë ditës së sotme.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›