E Diel, 1 Nëntor 2026

Siri, trupa të pajetë në sheshin e Homsit

Të paktën 34 persona janë rrëmbyer dhe vrarë nga forcat pro-qeveritare në qytetin e Homsit, në Siri, bëjnë të ditur aktivistët e të drejtave të njeriut.

Aktivistët citojnë dëshmitarë, të cilët thonë se trupat janë gjetur të hedhur në një shesh të qytetit ditën e hënë. Deklaratat nuk janë verifikuar ende, pasi mediat ndërkombëtare nuk lejohen të hyjnë në qytet.

Ndërkohë, Damasku zyrtar deklaroi se i është përgjigjur pozitivisht planit të Ligës Arabe që synon dhënien fund protestave që zgjasin prej muajsh.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Jihad al Makdisi tha për gazetarët se presidenti Bashar al Assad i ka dërguar një letër Ligës me bazë në Kajro, duke shtuar se pret që një marrëveshje të nënshkruhet së shpejti.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›