E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siria: Akuza SHBA-së dhe Perëndimit

Siria ka akuzuar një numër vendesh se mbështesin grupet rebele e terrorizmin. Gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Ministri i Jashtëm Walid Muallem veçoi SHBA, Francën, Turqinë, Arabinë Saudite dhe Katarin ne grupin e vendeve që mbështesin terroristët.
 

"Shtetet e Bashkuara dhe Franca së bashku me disa vende të rajonit kishin minuar përpjekjet për paqe, me furnizimin e grupeve rebele me armë dhe të holla",- tha Walid Muallem.
 

Thirrjet për Presidentin Bashar al-Assad të japë dorëheqjen ishin sipas tij ndërhyrje flagrante në politikat e Sirisë.
Por nga ana tjetër Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-Moon u ka bërë thirrje autoriteteve siriane për të treguar dhembshuri për popullin e tyre. Pas bisedimeve me Muallem, Ban kritikoi ashpër vrasjet e vazhdueshme.
 

Ndërkohë masakra në Siri sipas aktivistëve ka vazhduar. Në kryeqytetin Damask dhe periferitë e tij janë raportuar rreth 150 të vdekur.
Besohet se rreth 30 mijë sirianë kanë humbur jetën që prej fillimit të revoltave kundër presidentit Bashar al-Assad një vit e gjysmë më parë, ndërsa qindra mijëra janë shpërngulur në vendet fqinje.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›