Siria "gur-prove" për Turqinë dhe Kinën

Turqia dhe Kina po kërkojnë të zgjerojnë lidhjet e tyre ekonomike dhe politike përmes vizitës së zëvendës Presidentit kinez Xi Jinping në kryeqytetin turk Ankara nga e hëna deri të mërkurën
"Jo vetëm Turqia, por e gjithë bota po përpiqet të kuptojë idetë dhe vizionet e Xi Jinping-ut, duke shtruar pyetjen nëse ai do të adoptojë politika më të moderuara apo më të ashpra", thotë për DW-në Baris Adibelli, Profesor i asociuar pranë Univeristetit Dumlupinar. "Kjo vizitë ofron një mundësi për Turqinë. Përshtypja jonë është se Kina po kërkon nisjen e një periudhe të re bashkëpunimi me Turqinë, vend që ndodhet në qendër të Lindjes së Mesme" shton më tej ai.
Turqia po shfaqet si një fuqi rajonale në një kohë kur ekonomia e saj është në bum dhe influenca politike në Lindjen e Mesme është në rritje, Kina me një uri për energji ka interesa në rritje në rajon duke sjellë këshu afrimin mes Pekinit dhe Ankarasë.
Të dy vendet kanë vendosur marrëdhënie strategjike në vitin 2010. Që nga ajo kohë ata kanë mbajtur një dialog të ngushtë për çështje bilaterale dhe ndërkombëtare. Sidoqoftë Turqia dhe Kina duhet të mënjanojnë diferencat në zgjidhjen e problemeve në Siri.
Në fillim të këtij muaji Ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutoglu kritikoi Kinën dhe Rusinë për veton ndaj resolutës së OKB-së, rezolutë e cila synonte ndaljen e dhunës në Siri. "Rusia dhe Kina votuan kundër duke u bazuar në realitetet egzistuese, por më shumë nisur nga qëndrime reflektive kundërshtuese ndaj Perëndimit", tha Davutoglu në një panel diskutimesh në Konferencën e Sigurisë në
Mynih. Ai ka bërë thirrje për shprehjen e një solidariteti ndërkombëtar me sirianët dhe për të ushtruar presion ndaj rregjimit sirian në mënyrë që të ndalohet masakra ndaj popullit të tij.