E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daçiç:Kosova kundër kandidaturës së Serbisë

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiç ka thënë se Qeveria e Kosovës i ka dërguar letër vendeve anëtare të BE-së, përmes së cilës kërkohet që mos t`i jepet Serbisë kandidatura për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“Serbia është fajtore për mossuksesin në dialog”, citojnë mediat serbe letrën e Prishtinës, të dërguar vendeve anëtare të BE-së, të cilat në fund të shkurtit duhet të vendosin për kandidaturën serbe.

“Në letër thuhet se është arritur përparim i kufizuar në dialog dhe theksohet nungesa e zbatimit të marrëveshjeve të arritura”, ka thënë Ivica Daçiç.

Ai është shprehur se përmes letrës i bëhet thirrje vendve anëtare që ta kenë parasysh këtë, kur të diskutojnë vendimin për dhënien e kandidaturës për Serbinë në fund të këtij muaji.

Daçiç e ka quajtur këtë letër presion mbi Beogradin dhe sipas tij me këtë Prishtina ka treguar se nuk dëshiron kompromis me Serbinë.

Në seancën e fundit të Këshillit të Sigurimit, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, iu bëri thirrje publikisht vendeve të BE-së, që të mos e shpërblejnë Serbinë me statusin e kandidatit, ndërkohë që po ngec në zbatimin e marrëveshjeve dhe po mbështet edhe më tej “strukturat kriminale në veriun e Kosovës”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›