Siria liron mbi 1000 të burgosur

Siria ka liruar nga burgu më shumë se 1000 të burgosur, të cilët kanë qenë të përfshirë në protestat anti-regjimit, ka njoftuar agjencia e lajmeve AFP.
“1180 të burgosur që kanë qenë të përfshirë në incidentet në Siri dhe të cilët nuk i kanë pasur duart e përlyera me gjak janë liruar sot”, citon AFP televizionin shtetëror të Sirisë.
Lirimi i të burgosurve është njëra nga pikat e planit të Ligës Arabe që është aprovuar nga Siria më herët gjatë muajit, me qëllim që t`i jepet fund krizës në këtë vend, duke përfshirë edhe ndaljen e presionit ndaj protestuesve.
Më herët Turqia ka paralajmëruar se po shikon seriozisht mundësinë e ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike të Sirisë, si kundërpërgjigje për dhunën që autoritetet po ushtrojnë ndaj manifestuesve anti-Asad.
Lajmi është njoftuar nga Ministri i Energjitikës i Turqisë, Taner Yildiz. Furnizimi me ujë të pijshëm dhe energji elektrike, ishte përjashtuar nga paketa e sanksioneve që Ankaraja zyrtare miratoi kundër Sirisë në muajin shtator, pas thirrjeve të vazhdueshme diplomatike për t`i dhënë fund dhunës ndaj protestuesve.
Ndërkohë, në Siri vijojnë të regjistrohen viktima si mes protestuesve anti-qeveritarë, ashtu edhe në radhët e forcave të sigurisë.