E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE “injoron” Maqedoninë, prioritet binomi Serbi-Malin e Zi

Në një darkë pune të hënën me ministrat e jashtëm të BE-së, të organizuar nga Presidenca polake, komisioneri për Zgjerim, Stefan Fuele, ka mbrojtur rekomandimet e tetorit për dhënien e statusit kandidat për Serbinë dhe çeljen e negociatave për Malin e Zi. Në shpjegimet e zëdhënësit Peter Stano, Maqedonia, e cila pret në “para-dhomë” për negociatat prej tre vitesh dhe gëzon statusin prej gati gjashtë vitesh, nuk u përmend asgjëkund.
“Komisioneri përdor raste dhe mundësi të tilla për të shpjeguar qëndrimin e Komisionit Evropian ashtu siç theksohet në raportet e progresit që u publikuan në muajin tetor, ku Komisioni rekomandoi dhënien e statusit kandidat për Serbinë, nëse kjo e fundit ri-angazhohet në dialog me Kosovën, si dhe rekomandimin për çeljen e negociatave për anëtarësim me Malin e Zi. Siç e dini vendet anëtare po zhvillojnë diskutime për to dhe në këndvështrimin e Komisionit vendimet duhet të merren në samitin e ardhshëm evropian”, deklaroi Peter Stano, zëdhënës i Komisionit Evropian.
Pak javë para samitit evropian të dhjetorit, nga i cili Maqedonia dhe vende të tjera të rajonit shpresojnë të ketë vendime të rëndësishme, diskutimet e vendeve anëtare janë përqendruar te Serbia dhe Mali i Zi.
“Komisioneri Fuele po përdor të gjitha këto raste për të diskutuar dhe për të shpjeguar qëndrimin e Komisionit Evropian, duke shpjeguar se pse Komisioni mendon se është mirë të nisin negociatat për anëtarësim me Malin e Zi dhe pse Serbisë i duhet dhënë statusi kandidat, kuptohet, nëse vendi ri-angazhohet në diskutimet me Kosovën”, tha Stano.
Komisioni ka rekomanduar për të tretin vit rresht çeljen e negociatave për Maqedoninë, por vendi mbetet i bllokuar nga Greqia për çështjen e emrit, pa zgjidhjen e të cilit nuk pritet të merret ndonjë lajm pozitiv as këtë dhjetor, siç ka ndodhur në dy dhjetorët e kaluar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›