Siria, tensione mes Rusisë e SHBA, Turqia mbyll kufirin

Kufiri Turqi-Siri
Çështja e Sirisë ka nxitur tensionet mes Rusisë dhe SHBA-ve, me ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov, që ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se deklarata e tyre për Sirinë që do të përdorë armët kimike kundër protestuesve është e papranueshme. Rusia, një aleat i fortë i Sirisë, akuzon vendet perëndimore se po nxisin gjakderdhjen duke mbështetur rebelët në Siri. Ndërkohë, Ministria e Jashtme izraelite ka paralajmëruar dje se do të reagojë menjëherë nëse zbulon se militantët islamikë po marrin në dorë armët kimike apo biologjike të Sirisë, ndërsa izraelitët nxituan të blejnë maska gazi menjëherë pas kësaj deklarate. Liderët politikë dhe të sigurisë në Izrael po shikojnë me vëmendje zhvillimet në Siri, një aleat i fortë i armikut të tyre të përhershëm, Iranit, me frikën se grupi Hezbollah në Liban apo grupe të tjera militante do të gjejnë rrugën për të siguruar armët kimike për ti përdorur kundër Izraelit. Qeveria turke ka mbyllur kufirin me Sirinë për çdo lloj qarkullimi, me përjashtim të refugjatëve, duke deklaruar se kushtet e sigurisë në vendin fqinj janë përkeqësuar pas përshkallëzimit të luftimeve mes rebelëve sirianë dhe forcave të qeverisë së Bashar Al Asad, edhe afër kufirit. Në një konferencë për shtyp në Ankara, ministri turk i Ekonomisë njoftoi se do të bllokohet qarkullimi për të gjitha mjetet tregtare, pasi ka shqetësim serioz për të gjithë shoferët dhe siguria e tyre nuk është e garantuar. Ai theksoi se deri tani eksporti në Siri nga Turqia ka rënë me 87 për qind gjatë vitit të fundit. Autoritetet turke thanë në OKB se kufiri mbetet i hapur për të gjithë civilët që duan ti largohen konfliktit. Rebelët kanë pasur përparësi në luftime gjatë ditëve të fundit, edhe pse në Alepo, një bastion i Asad, forcat qeveritare kanë sulmuar me avionë bombardues.