Skema qeverisëse, Haradinaj Kryeministër, Thaçi President

Thaçi e Haradinaj
Pas qarkullimit të zërave se PDK-ja e Hashim Thaçit do të bëjë një marrëveshjeje qeverisëse me AAK-në e Ramush Haradinajt, mediat kanë nisur edhe publikimin e piramidës së ardhshme shtetërore. Burime të ndryshme nga të gjitha kahet politike kanë deklaruar për mediat në Kosovë se koalicioni qeverisës me AKR-në e Behgjet Pacollit nuk po shkon mirë dhe se ky i fundit mund të tërhiqet nga qeveria, nëse i soset durimi. Pas kësaj, Kryeministri Thaçi doli në deklaratë për shtyp duke thënë se koalicioni aktual është i shkëlqyer dhe se po funksionon për mrekulli. Më pas, një nga figurat më të larta të AAK-së, Ardian Gjini, tha në një konferencë për shtyp se kjo forcë politike po konsideron hyrjen në koalicion me PDK-në. E menjëherë më pas erdhi deklarata e zyrtarëve të lartë nga PDK-ja, se e mirëpresin AAK-në. Burime për mediat në Kosovë shprehen me bindje se një koalicion qeverisës i PDK-së dhe AAK-së, nëse jo në vjeshtën e këtij viti, do të mund të ndodhë pas zgjedhjeve nacionale, të cilave do ti paraprinin ato presidenciale. Sipas Koha Ditore, këtë e ka shprehur një burim i afërt me Kryeministrin Hashim Thaçi. Bashkëqeverisja ndërmjet këtyre dy subjekteve të dala nga lufta do të mund të ndodhë në rast se të dyja lëshojnë pe nga disa vija të kuqe që kanë vënë. Sipas burimit, Thaçi edhe mund të përmbushë insistimin e AAK-së, që ai të mos drejtojë qeverinë. Por ai mund të bëhet President, në rast të një largimi vullnetar të Atifete Jahjagës. Ndërsa sipas RTK-së, nënkryetari i AAK-së Ahmet Isufi pritet të emërohet në krye të Kuvendit të Kosovës. Pas kësaj, Lëvizja Vetëvendosje u ka kërkuar të gjitha partive opozitare që të mos bëjnë koalicion me PDK-në e Thaçit, pasi kjo nuk do ti sjellë asnjë të mirë vendit.
Në Bruksel
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Katerin Ashton, e cila ka ftuar Prishtinën dhe Beogradin që të vazhdojnë bisedimet për përmirësimin e jetës se qytetarëve të të dyja vendeve. Thaçi, pasi njoftoi për zhvillimet në Kosovë, tha se pa zbatim të marrëveshjeve të arritura deri më tash nuk do të ketë vazhdim të dialogut me Serbinë.