E Diel, 1 Nëntor 2026

Siria vazhdon të bllokojë Kryqin e Kuq

Autoritetet siriane nuk i kanë lejuar ende ekipet e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar të hynë në lagjen Baba Amër, të goditur rëndë nga luftimet, në qytetin Homs, që mbahej më parë nga kryengritësit.

Aktivistët thonë se janë gjithnjë e më të shqetësuar për gjendjen e civilëve në Baba Amër. Ata thonë se i gjithë qyteti i Homsit është në gjendjen e një katastrofe humanitare, ku mungon energjia elektrike, uji dhe komunikimi. Rezervat ushqimore gjithashtu janë pakësuar ndjeshëm dhe shumë njerëz kanë frikë të largohen nga shtëpitë e tyre. Ditët e fundit edhe koha ka qenë e ftohtë dhe me dëborë.

Komiteti i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar thotë se ekipet arritën të dërgojnë ndihma për refugjatët nga Baba Amër, të strehuar rreth tri kilometra nga Homsi. Por zyrtarët e Kryqit të Kuq thanë se trupat siriane vazhdojnë t’i pengojnë ekipet të hynë në Baba Amër, duke u justifikuar me gjendjen e sigurisë.

Burimet e opozitës thonë se qeveria po e pengon Kryqin e Kuq të shikojë në vend masakrat e kryera nga ushtarët sirianë, të cilët janë në ndjekje të kryengritësve që kanë mbetur në qytet.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, ka thënë se ka marrë njoftimeve tepër shqetësuese se trupat po ekzekutojnë dhe po torturojnë njerëzit në Homs.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›