E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sistem për menaxhimin e trafikut në kohë reale

Zbatimi i këtij projekti i cili zgjat 18 muaj, do të mundësojë vendosjen e standardeve më të larta në Tiranë, për menaxhimin e trafikut por edhe për sigurinë.

Marrëveshja është nënshkruar sot, mes Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe drejtuesve të kompanisë “Swarco Mizar” & “SCAE”, Alexander Swarovski dhe Alfredo Bolelli. Ky sistem i ri i  kontrollit të trafikut urban në Tiranë do të realizojë menaxhimin e semaforëve në kohë reale, përmirësimin e fluksit të trafikut në qytet.

“Ky sistem, në përfundim të tij do të jetë i barabartë në vlerat teknike, me sistemet që edhe qytete të tjera të Evropës, si Roma apo Viena kanë vënë në operim vetëm në 3-4 vitet e fundit. Menaxhimi në kohë reale, përmirësimi i fluksit të trafikut, përmirësimi i sigurisë, dhënia e përparësisë transportit publik do të jenë disa nga përfitimet e menjëhershme që qytetarët e Tiranës do të kenë nga ky projekt”,  theksoi z. Basha. 

Projekti parashikon ndërtimin e një Qendre Operacionale të Kontrollit në Tiranë, e cila sipas zotit Basha do të mundësojë jo vetëm drejtimin e të gjithë pikave të kontrollit të trafikut nga një qendër e vetme, por edhe monitorimin 24 orë, çka do i shërbejë shumë edhe përmirësimit të sigurisë rrugore brenda qytetit të Tiranës. Po kështu, parashikohet paisja me tru të ri elektronik e 51 nyjeve të trafikut në qytetin e Tiranës, të cilat do të kontrollohen nga Qendra Operacionale. Nëntë nyje të reja do të ndërtohen nga fillimi, sikundër do të vendosen edhe semaforët e rinj.

Gjashtë pajisje elektronike të përditësuara (tabela të mëdha) do të njoftojnë drejtuesit e automjeteve, mbi kushtet aktuale të trafikut si dhe informacione të tjera të rëndësishme, në lëvizjen brenda qytetit të Tiranës, në hyrje të qytetit të Tiranës dhe në dalje të qytetit të Tiranës.  Projekti parashikon vendosjen e 23 kamerave, të cilat do të përcjellin informacion në kohë reale, në Qendrën Operacionale. /Start/

                                                                                             2012-05-31 14:26
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›