E Diel, 1 Nëntor 2026

“Sistemi arsimor po shkon drejt konsolidimit, mësuesit, promotorë të dijes dhe zhvillimit”

08-03-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha merr pjesë në konferencën Jubilare “Nga Mësonjëtorja tek Universiteti i Korçës”, në Universitetin “Fan Noli”

Në vijim të veprimtarive të organizuara në Korçë, me rastin e 7 marsit, Ditës së mësuesit, kryeministri Sali Berisha ishte i pranishëm në Konferencën Jubilare me temë “Nga Mësonjëtorja tek Universiteti i Korçës”, të zhvilluar në Universitetin Fan Noli të qytetit.
Kjo konferencë mbahet në vitin jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë, si dhe me rastin e 125 vjetorit të çeljes së shkollës së parë shqipe, në Korçë.
Duke marrë fjalën, kryeministri Berisha u shpreh se ndihej i nderuar të përshëndeste nga kjo sallë të gjithë mësuesit dhe pedagogët e vendit, por edhe të të gjitha trevave shqiptare kudo që ndodhen.
Duke shprehur vlerësim dhe respekt për misionin fisnik të mësuesit, kryeministri Berisha u shpreh se me këtë mision, ata janë dhe do të mbeten promotorë kryesorë të dijes dhe zhvillimit të shoqërisë sonë.
“Kudo shqiptarët nderojnë mësuesit e tyre, mësuesit e fëmijëve të tyre, nipërve dhe mbesave të tyre, por kryefesta e shqiptarëve është këtu në Korçë, sepse këtu 125 vjet më parë, u themelua shkolla e parë laike e kombit, shkolla, e cila do të shndërrohej në një tempull, drita hyjnore e tij, do të vërshonte në të katër anët e trojeve shqiptare, do të vërshonte në çdo zemër, në çdo mendje shqiptare, do të bënte që sot ky komb në 100 vjetorin e tij, të vijë si një komb i shkolluar, si një komb i lirë, si një komb i sigurt  në të ardhmen e tij. Ndaj dhe kjo është një ditë e madhe nderimi për ata burra që themeluan këtu, mësonjëtoren e parë laike, për Pandeli Sotirin, Thanas Sinën, Thoma Avramin, Petro Nini Luarasin, Nuçi Naçin, Janko Minxha e shumë e shumë të tjerë. Për gjenitë e teksteve të mësonjëtores së parë, Sami Frashërin, Jani Vreton dhe korifenjtë e tjerë të rilindjes. Ne festojmë këtë 125 vjetor, në 100 vjetorin e  Shqipërisë së Pavarur, festojmë atë më krenarë se kurrë, sepse sot shqiptarët janë qytetarë të lirë. Jetojnë të lirë kudo, ndërtojnë në liri të ardhmen e tyre. Sot shqiptarët janë më të vetëdijshëm se kurrë, se drita e dijes është jetike, është vendimtare  për të ardhmen e tyre. Siç thoshte Uinston Çërçill, perandoritë e të ardhmes do të jenë perandoritë e dijes,  Shqipëria e së ardhmes do të jetë gjithnjë e më shumë Shqipëria e dijes, ndaj edhe në këtë kontekst, roli juaj, të dashur mësuese dhe mësues, pedagogë dhe pedagoge bëhet gjithnjë e më vendimtarë. Bëhet gjithnjë e me vendimtarë sot, se Shqipëria, i tërë planeti, bota, përjeton epokën e globalizmit, përjeton epokën e një ore që  nuk funksionon më me lëvizjen mekanike, por që funksionon mbi bazën e një lëvizje kuantike, një kohe e cila kërkon të bëjmë gjithçka për të ruajtur ritmet krahas saj”, u shpreh Berisha.
Reformat për kryeministrin Sali Berisha mbeten baza e forcimit të sistemit arsimor, proces ky që po shkon drejt konsolidimit.
“Ne jemi përpjekur këto vite, jemi përqendruar me shumë se në çdo gjë tjetër në reformat në arsim, e kemi pasur dhe e kemi  drejtë. Arsimi të parin ka arsimtarin dhe çdo reformë, çdo përpjekje duhet të përqendrohet para së gjithash tek arsimtari dhe roli i tij, në piedestalin që ai duhet vendosur. Në një hark kohor të shkurtër, ne ia kemi dalë të kremtojmë sot, këtë ditë të madhe të historisë kombëtare. Në një sistem arsimor që shkon drejt konsolidimit, në një vend ku janë arritur disa nga treguesit sasior në nivelet më të larta të kohës . Sot 91 për qind e fëmijëve tanë që mbarojnë arsimin 9 vjeçar, ulen në bankat e shkollave të mesme. Sot, 70 për qind e maturantëve tanë, ulen në bankat e universiteteve  dhe  ju garantoj se këto tregues janë nga më të lartit në botë. Sot, në çdo shkollë ka internet , laboratorë informatike dhe laboratorë të tjerë. Por, të dashur mësuese dhe mësuese  pedagogë dhe pedagoge, arritjet ne vetëm duhet të na frymëzojnë për arritjet e tjera. Nuk ka garë më të vështirë se gara e dijes, nuk ka garë në të cilën po të gabosh paguan çmimin më të shtrenjtë se në këtë garë”, tha ai.
“Ne kemi shtrirë internetin në çdo shkollë, vlerësoi kryeministri, ndërsa theksoi se së shpejti nis projekti për internet në çdo klasë, ne po bëjmë gjithçka për një infrastrukturë moderne”.
Sipas kreut të qeverisë, sot është koha që universitetet shqiptare t’i përkushtohen garës së cilësisë, ku në qendër do të jetë mësuesi dhe përgatitja e tij. Berisha tha gjithashtu se prioritet do t’i jepet lëndëve të gjuhës dhe matematikës.
“Ne sot i kemi hapur dyert për universitete tona, por tani bashkërisht duhet të angazhohemi në të gjithë potencialin, pasionin dhe përkushtimin tonë në garën e cilësisë. Kjo garë për cilësinë, zoti ministër i arsimit dhe të dashur mësues dhe mësuese, përsëri duhet të përqendrohet para të gjithash tek mësuesi, përgatitja e tij. Arsimi para universitar, i cili sot është masiv, fatmirësisht dhe kjo është arritje e madhe, bazohet së pari në gjuhën e nënës. Në të gjitha shkollat më të mira të botës rëndësi kryesore i kushtohet gjuhës, duhet të flasë vajza dhe djali, qytetari duhet të flasë dhe të jetë zot i gjuhës së tij. Bazohet në matematikën edhe kjo një dhunti për tu zhvilluar. Kam parë një statistikë dhe disa shkrime, si dhe nga një vlerësim që ishte bërë dilte që fëmijët shqiptarë lexonin më shumë, libra jashtëshkollor sesa fëmijët e shumë vendeve të zhvilluara të Europës”, përfundoi Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›