E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brukseli: Shqipëria ka progres, gati një rezolutë “pro” integrimit

08-03-2012 / Gazeta 55

Kreu i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë Ettore Sequi thotë se ka progres në zbatimin e rekomandimeve, por duhet vullnet i përbashkët që Shqipëria të marrë statusin në muajin tetor. Kurse kreu i Delegacionit për Shqipërinë, eurodeputeti Eduard Kukan deklaron se priten lajme pozitive nga Tirana dhe se PE po përgatit rezolutën për integrimin

Kreu i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë Ettore Sequi i bëri thirrje dje klasës politike shqiptare të angazhohet për realizmin e dy reformave më të rëndësishme asaj zgjedhore dhe reformës parlamentare. Ndërsa ka marrë pjesë në ditën e dytë të takimit konsultativ mes palës shqiptare të Komisionit Europian ambasadori Sequi tha se duhet vullnet i përbashkët politike që Shqipëria të marrë statusin kandidat.
“Ka pasur progres, ecuri në një sërë fushash, si në procesin e reformës zgjedhore. Nuk do të flas këtu për historikun e arritjeve gjithsesi mendoj që është e nevojshme të ketë progres për reformën elektorale, duhet të shtojmë përpjekjet në mënyrë që të arrijmë afatet. Procedurat parlamentare dhe grupi i punës ka ecur me një hap më të ngadalshëm, por mendoj se është e rëndësishme të rritet energjia në këtë aspekt. Në përgjithësi kemi arritje: kemi folur për miratimin e një sërë ligjesh që kërkon një mazhorancë të cilësuar. Jam i mendimit që duhet të mbështetemi në këto arritje. Jam i sigurt që me angazhim të fortë, me punën tonë të përditshme, të arrihen rezultatet që ne dëshirojmë”, u shpreh kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi.
Ai vuri në dukje se Komisioni pret gatishmërinë e përfaqësuesve të të gjitha palëve, për t’u ulur bashkërisht, për të qenë pjesë e këtyre diskutimeve. “Jam shumë i kënaqur që disa herë që ju (ministrja Bregu) përmendët fjalët ‘vullnet politik’. Kohët e fundit, KE ka anonçuar një projekt binjakëzimi për asistencë ndaj parlamentit, ndaj, mos hezitoni të kërkoni asistencën e këtij projekti, ndërsa për problemet kryesore që duhen trajtuar, mendoj se ekziston vullneti politik për t’i zgjidhur. Në përgjithësi janë shënuar arritje: kemi folur për miratimin e një sërë ligjesh që kërkon një mazhorancë, përfshi dhe ligjin për Avokatin e popullit, të gjitha këto janë arritje të rëndësishme. Jam i mendimit që duhet të mbështetemi në këto arritje, jam i sigurt që me angazhim të fortë, me punën tonë të përditshme, të arrihen rezultatet që ne dëshirojmë. Si në çdo përpjekje humane nevojiten dy gjëra: vizioni dhe burimet: vizioni sigurisht që ekziston, është marrëveshja e përbashkët, puna për 12 prioritetet; dhe burimet: burimet janë aty, nuk është se mungojnë, sidomos burimet njerëzore. Së treti, duhet angazhim dhe vullnet politik. Mendoj që ky seminar do të ndihmojë shumë në ecjen drejt rrugës së integrimit, jemi këtu t’ju ndihmojmë, por kuptohet, ky është vendi juaj, kjo është e ardhmja juaj!”, tha ai.
Nga ana tjetër Ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu tha se mesazhi kryesor i takimit konsultativ do të jetë rikonfirmimi i vullnetit politik për të çuar përpara këto dy reforma.
Sipas saj, të gjitha komentet, sugjerimet dhe vërejtjet e bëra në takimin konsultativ nga përfaqësuesit e Komisionit Europian, përfaqësuesit e opozitës dhe të qeverisë, do të pasqyrohen në materialin final të Planit të Veprimit.
“Për prioritete nga 1 deri në 4, ku siç e dini janë edhe pjesa më e nxehtë e debatit mediatik e politik: reforma zgjedhore, dhe ndryshimi i rregullave dhe procedurave të parlamentit. Besoj që nga përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës në komisionet e ngritura ‘ad hoc’ për këto dy çështje, do të marrim informacion të rifreskuar lidhur me afatet kohore brenda të cilave mendohet të përmbyllen këto reforma”, tha ajo.
Për ministren e Integrimit, reforma zgjedhore dhe ndryshimi i rregullores së parlamentit mund të trajtohen edhe jashtë 12 rekomandimeve të BE, por gjithsesi e rëndësishme është që të vazhdojë progresi i vendit në përmbushjen e reformave të kërkuara nga Brukseli.
“Reforma zgjedhore dhe ndryshimi i rregullores së parlamentit janë reforma që mund të qëndrojnë fare mirë edhe jashtë 12 pikëshit të Planit të Veprimit, por që përmbushja e tyre varet nga serioziteti dhe vullneti politik; shpresoj që fryma e këtij takimi të jetë konstruktive, në mënyrë që të mos bllokohet me arsye të parëndësishme ecuria dhe përmbushja e këtyre reformave. E kundërta na dëmton të gjithëve, qytetarët dhe axhendën e integrimit europian”, tha ministrja Bregu.
Në takimin e djeshëm, përveç ministres Bregu dhe ambasadorit të delegacionit të KE-së Sequi, ishin të pranishëm bashkëkryetarët e Komisionit të reformës zgjedhore Damian Gjiknuri dhe Ilir Rusmali respektivisht përfaqësues i opozitës dhe mazhorancës në Komision; bashkëkryetarët e Komisionit të reformës parlamentare Namik Dokle dhe Jemin Gjana, respektivisht përfaqësues i opozitës dhe mazhorancës në Komision; kryetari i Komisionit Parlamentar te Integrimit Ditmir Bushati, si dhe përfaqësuesit e delegacionit të Komisionit Europian i kryesuar nga Shefi i njësisë për Shqipërinë pranë drejtorisë së Zgjerimit të Komisionit Europian, Vassilis Maragos.
Me diskutimet rreth prioriteteve 1 deri në 4 përfundon edhe takimi konsultativ BE-Shqipëri për Planin e Veprimit mbi 12 prioritetet e Komisionit Europian. Ndërkohë të martën, palët diskutuan dhe komentuan prioritetet nga 6 deri në 12.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›