Edi Rama, kur bllokove reformat, i bëre për të ndihmuar Shqipërinë apo Serbinë?

Kryeministri Sali Berisha akuzon nga Korça lidershipin e opozitës, se me rolin bllokues, s’krahasohet as me opozitën e një vendi problematik në raportet me BE-në, si Serbia
Nga juglindja e vendit, Kryeministri Sali Berisha akuzoi lidershipin socialist, Edi Rama, se me bllokimin e reformave ndëshkoi Shqipërinë, ndërsa nga ana tjetër i dha një dorë Serbisë. Për shefin e ekzekutivit, roli bllokues i Partisë Socialiste, është unik në botë, pasi asnjë opozitë, ajo serbe, s’ka penguar proceset e integrimit.
Gjatë vizitës në Muzeun “Mësonjëtorja e parë shqipe”, kryeministri Berisha ri-solli në vëmendje debatin për Kodin Penal, duke theksuar se, Edi Rama 10 ditë më parë nuk donte ta votonte, ndërsa paralajmëroi se do të shpallte të bllokuara reformat.
“Nga ky tempull i dijes, i vokacionit perëndimor të kombit, unë dua t’i shtroj një pyetje zotit Edi Rama që, me sa di unë, e ka vizituar sot këtë tempull... Dje u zotove dhe më erdhi mirë se do të votoje çdo gjë, madje se e keni votuar gjithçka që kërkohet në procesin e statusit të Shqipërisë për në Bashkimin Europian. Kjo është pozitive, por dhjetë ditë më parë kur urdhërove grupin parlamentar dhe vendose të mos votonin Kodin Penal, kur deklarove të bllokuara reformat, këto i bërë për të ndihmuar Shqipërinë apo Serbinë? Këto ditë rëndom po krahason e po shpreh keqardhje që Serbia e mori statusin dhe Shqipëria jo. Unë nuk kam asnjë keqardhje që Serbia e mori statusin dhe ajo e meritoi që e mori, sepse Serbia nuk ka asnjë forcë politike që të mos votojë ligjet që kërkohen, por dhjetë ditë më parë, kur ti bllokove në parlament Kodin Penal, e bërë këtë për të ndihmuar Shqipërinë apo Serbinë?!”, u shpreh kryeministri Berisha.
Ai theksoi se procesi i integrimit është një proces gjithëpërfshirës dhe si i tillë, edhe opozita ka detyrimin e saj të kontribuojë në një proces që s’ka asnjë të humbur, por vetëm të fituar.
Sipas tij, shqiptarët nuk e besojnë më melodinë e vjetër të zvarritjes së interesave të vendit, mbi të cilën bazoi ideologjinë e tij, regjimi diktatorial për 43 vjet me radhë.
“Sidoqoftë, unë kam bindjen më të thellë se interesi jetik i opozitës shqiptare është që procesin e integrimit të vendit ta konsiderojë si një proces të detyruar për të gjithë shqiptarët, si një proces, i cili nuk mund të jetë tjetër veçse kontribut i të gjithë shqiptarëve dhe forcave politike, si një proces, në të cilin nuk ka asnjë të humbur, por vetëm të fituar, si një proces që buron thellë nga shpirti i qytetarëve shqiptarë. Në rast se mendohet se një javë para bllokohen dhe një javë më vonë thuhet se po kontribuojmë duke i zhbllokuar, kjo është një këngë, një melodi e trishtuar që shqiptarët e kanë dëgjuar 43 vjet me radhë, nga etërit e tyre dhe nuk e besojnë më”, tha Berisha.
Për shefin e ekzekutivit bllokimi i aspiratave të integrimit ishte i padrejtë, por qeveria zotohet se do përmbushë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga raportet me Bashkimin Evropian. “Vështirësitë e krijuara këto 2-3 viteve të fundit, kryekëput të pamerituara, jam i bindur se janë të përkohshme. Unë dua t’i garantoj shqiptarët se do të bëjmë gjithçka, së bashku me ta, t’i kapërcejmë to”, deklaroi më tej kryeministri Berisha.