E Diel, 1 Nëntor 2026

Sistemi i mbrojtjes raketore, ende burim kontraditash SHBA-Rusi

Afganistani ishte tema kryesore që u diskutua në takimin e fundit të NATO-s por udhëheqësit botërorë ritheksuan gjithashtu angazhimin për një sistem të mbrojtjes nga raketat, një program që kritikohet me forcë nga Rusia.

Të 28 udhëheqësit e NATO-s mbështetën një plan të përbashkët për një eliminim gradual të luftës në Afganistan. Ky plan parashikon se forcat afgane të sigurimit do të marrin në dorë udhëheqjen në operacionet luftarake nga mesi i vitit të ardhshëm dhe të gjitha forcat e NATO-s do të jenë larguar nga ky vend brenda vitit 2014.

Në vitin 2009, Presidenti Barak Obama e pezulloi propozimin e Presidentit Bush për të vendosur 10 interceptorë raketash në Poloni dhe një radar në Republikën Çeke. Ekspertët thonë se plani i ri është më elastik. Ai parashikon vendosjen e një sistemi me interceptorë raketash në sisteme lundruese dhe kryqëzorë në det si dhe versione të avancuara, të dislokuara në tokë, disa prej të cilave në vende të ish-Paktit të Varshavës. Pas takimit të NATO-s, Presidenti Obama falenderoi aleatët që po kontribuojnë në këtë sistem mbrojtjeje:

“Radari ynë në Turqi do të vendoset nën kontrollin e NATO-s. Spanja, Rumania dhe Polonia kanë rënë dakord të pranojnë elementë të rëndësishëm të sistemit. Holanda do të modernizojë radarët dhe mirëpresim kontribute nga aleatë të tjerë”.

Rusia e ka kundërshtuar vazhdimisht planin amerikan për një sistem të mbrojtjes nga raketat në Evropë. Moska nuk beson se synimi i sistemit është mbrojtja nga sulme me raketa nga vende si Irani. Zyrtarët rusë e konsiderojnë këtë sistem si kërcënim ndaj Moskës, një akuzë që Presidenti Obama e kundërshton:

“Sistemi as nuk ka në objektiv Rusinë, as nuk minon sistemin e saj mbrojtës, prandaj i përmbahem bindjes se mund të gjejmë mundësi bashkëpunimi me Rusinë”.

Presidenti i sapo-zgjedhur rus Vladimir Putin nuk pranoi ftesën për të marrë pjesë në takimin e NATO-s. Ai tha se i duhej të qëndronte në Moskë për të formuar qeverinë e re. Në takim mori pjesë kryeministri Dimitri Medvedev.


Ekspertët nuk parashikojnë se Uashingtoni dhe Moska do të zgjidhin brenda një periudhe të shkurtës mospajtimet mes tyre lidhur me mbrojtjen nga raketat. Ata parashikojnë se mund të ketë një farë suksesi vitin e ardhshëm, pas zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›