E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sistemi i referimit, Spahia: Ulet fluksi i pacientëve në spitale

Zv.ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia: Pacientët tashmë ndjekin një itinerar për të marrë shërbimet mjekësore

Pacientët po ndjekin një itinerar për të zgjidhur problemet e tyre shëndetësore, duke kaluar më parë nga mjeku i familjes e vetëm më pas tek specialisti. Zëvendësministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia, dje në një komunikatë për shtyp është shprehur se sistemi i referimit të pacientëve në shërbimin shëndetësor ka dhënë frytet e para, duke sjellë në këtë mënyrë uljen e fluksit të pacientëve në spitale.

Urdhri

Pas hyrjes në fuqi të urdhrit të ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, mbi zbatimin e sistemit të referimit, pikërisht dje zv.ministri Spahia është shprehur se “ky sistem ka nisur të japë frytet e para, duke sjellë në këtë mënyrë edhe uljen e fluksit të pacientëve në shërbimet e sistemit terciar, fakt ky që ka shërbyer në rregullimin e itinerarit që ata duhet të ndjekin për problemet e tyre”. Spahia tha gjithashtu se Ministria e Shëndetësisë po punon me intensitet të lartë për të eliminuar të gjitha barrierat në shkurtimin e marrjes së kohës së shërbimit nga qytetarët. Sipas zëvendësministrit, në këtë sistem ishin parashikuar edhe një paketë shërbimesh, të cilat në rastin kur pacienti nuk ishte i siguruar dhe ishte jashtë grupmoshave që ishin parashikuar për të marrë shërbimin falas, disa shërbime duhej t’i paguanin.

Referimi

Prej vetëm pak ditësh ka nisur të funksionojë sistemi i referimit në sistemin shëndetësor. Në bazë edhe të urdhrit të kreut të shëndetësisë, asnjë pacient nuk do të vizitohet në spitale pa kaluar një itinerar tashmë të përcaktuar për çdo nivel shëndetësor. Çdo person që ka nevojë të marrë shërbim në institucionet shëndetësore publike, duhet të paraqitet fillimisht tek mjeku i familjes, tek i cili është i regjistruar, ku dhe duhet të jetë i pajisur me librezën shëndetësore dhe një dokument identifikimi.

Nëse mjeku i familjes gjykon se diagnostikuesi kërkon konsultë më të specializuar, atëherë e rekomandon tek specialisti përkatës. Të gjithë pacientët që paraqiten tek mjeku specialist, duhet të kenë detyrimisht rekomandimin e mjekut të familjes, librezën e shëndetit dhe një dokument identifikimi. Për ata pacientë që nuk kanë këto dokumente u duhet të paguajnë tarifën e parashikuar mjekësore. Ndërkohë që përjashtohen rastet që përbëjnë urgjencë, ata trajtohen falas. Sipas urdhrit të ministrit, mosrespektimi i këtij sistemi referimi nga ana e personelit mjekësor do të ketë penalitete financiare deri në zgjidhje të kontratës së punës. Sistemi i referimit kërkon të orientojë pacientët drejt shërbimeve shëndetësore sipas diagnozave që ata kanë, si dhe të shmangë radhët e gjata në shërbimet terciare nganjëherë edhe të panevojshme. Gjithashtu nga ky sistem pacientët që të përfitojnë shërbim shëndetësor falas duhet të pajisen me librezë shëndetësore në të kundërt do të përballen edhe me tarifat e reja.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›