E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sistemi i taksave, Berisha: Rama sulmon për inate personale

Kryeministri Berisha ka sulmuar sërish programin e Partisë Socialiste për vendosjen e taksës progresive, duke e cilësuar si marrëzinë e radhës të kryetarit të opozitës dhe si taksë marksiste. Duke folur në mbledhjen e qeverisë Kryeministri Berisha ka sulmuar edhe kreun e opozitës Rama duke shtuar se ai sulmon pasi është i motivuar nga ndjenja personale, inate personale dhe atavizma të klithmës të të parëve.
 

“Ky sulmi që bën shoku Rama me taksën marksiste tek fidelët e tij është i tëri i motivuar nga ndjenja personale, inate personale dhe atavizma të klithmës së të parëve, sepse statistika fakton se në vendin tonë 40% e vendeve të punës janë të krijuara nga 1% e bizneseve dhe hajde tu biem me topin marksist këtyre që të shkatërrojme me qindra vende pune. Ky njeri ka lindur për të dënuar veten e tij, kaq mund të them. Sepse kalon nga marrëzia në marrëzi” theksoi Berisha.

Sipas Berishës programi ekonomik fiskal i Shqipërisë për mandatin që vjen, 2012-2014, parashikon rritjen e të ardhurave dhe uljen e papunësisë. Duke kujtuar afrimin e vitit 2013, Berisha ka bërë me dije se qytetarët do kenë shansin e madh të votojnë për këtë program, që parashikon rritje të rrogave dhe pensioneve, optimalizim të plotë të treguesve makro ekonomikë, jo rritje të taksave, por lehtësira progresive.

Kryeministri Berisha ka kërkuar sot që t`i jepet një dimension të ri programit për thithjen e trurit ose i njohur ndryshe si programi “Brain Gain”. Sipas tij është e domosdoshme që ky progam krahas shërbimit civil dhe univeristeteve të shtrihet edhe në nivelin e këshilltarëve të ministrave, drejtuesve të institucioneve kushtetuese dhe në raste të caktuara edhe të agjensive kryesore të ngritura me ligj.

“Programi ka ardhur duke u konkretizuar dhe në këtë program kanë përfituar rreth 140 studjues të shkolluar në shkollat më të mira dhe me rezultate të mira. Kjo përbën një arritje dhe tregon se programi funksionoi por është e domosdoshme që ky program të njohë një dimension të ri” ka theksuar Berisha.

Sipas kryeministrit është shumë e domosdoshme që të gjitha universitet e vendit duhet të ndërmarrin një përpjekje të re të madhe për thithjen e trurit pasi sipas tij shqiptarët të cilët pavarësisht se ku kanë lindur duan që nëpërmjet këtij programi të kontribuojnë në Shqipëri.

“Kjo duhet të ndodhë edhe për administratën pasi është e domosdoshme të zgjerojmë pozicionin që mund ti ofrohen këtij kontigjenti. Një përpjekje e madhe është bërë dhe sot në administratë ku mbi 21 përqind e është e diplomuar në universitetet e huaja, nga 1 përqind që ishte 5-6 vjet më parë por prap se prap mundësitë janë të mëdha” ka shtuar Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›