E Diel, 1 Nëntor 2026

Siti shpëton në Liverpul, Arsenali tjetër “X”

ANGLI- Një gabim i Skrtel 10 minuta para fundit, ka shpëtuar Mançester Sitin nga disfata në “Anfield Road” përballë Liverpulit. Supersfida e kësaj jave në Premier Ligë ka dhuruar 90 minuta spektakolare, me Liverpulin që ka arritur të dominojë, por pa mundur të marrë dot tre pikët.

Avantazhi i “Të kuqve” erdhi në minutën e 31-të, kur pas një goditje këndi të Xherard, Skrtel mposhti portierin Hart me kokë. Minuta e 63-të ka sjellë golin e barazimit, pas një krosi të Tevez, që nuk u ndal as nga Reina e as nga Keli, duke u kthyer në asist për Jaja Ture. Kanë mjaftuar vetëm 3 minuta dhe Suarez ktheu Liverpulin në avantazh pas një goditje dënimi, por në fund ishte Skrtel që gaboi fatalisht. Ai ktheu një top te Reina, por Tevez i ndodhur aty pranë e rrëmbeu, shmangu portierin spanjoll dhe barazoi.

Në ndeshjen tjetër të luajtur dje, Arsenali nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola ndaj Stouk Sitit, në fushën e kësaj të fundit. “Topçinjtë” kanë luajtur më mirë, megjithatë largimi i Robin Van Persit duket se ka lënë një gropë të madhe në sulm. Arsenali duket se vuan pikërisht mungesën e një bomberi. Takimi dhuroi pak emocione, përveçse një rasti të Diabi në zonë dhe një parabole të Zhirud nga distanca, që kaloi ngjitur me traun.
(m.a/a.latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›