Interi fillon bindshëm, barazon Roma

Me rezultat 3-0, Interi ka shënuar fitore përballë ekipit të promovuar këtë edicion në Serie A, Pescara, në ndeshjen e parë të kampionatit.
Milito pranoi një top nga Zanetti dhe e dërgoi në drejtim të Wesley Sneijder dhe mesfushori holandez kaloi Nerazzurrët në epërsi (17’).
Dy minuta më pas, transferi i ri Cassano shmangu kurthin e pozitës jashtë loje dhe në vend se të godiste, pasoi te Diego Milito, i cili nuk fal (19’).
Edhe në golin e tretë ishte i përfshirë sulmuesi argjentinas, pasi ai e bëri pasimin te Coutinho që e vendosi rezultatin përfundimtar (81’).
Nga ana tjetër, Roma i ka shpëtuar humbjes në minutat e fundit të takimit ndaj Catanias. Giallorossët u gjetën dy herë në disavantazh, mirëpo arritën që ta barazojnë rezultatin dhe të mos dalin të turpëruar nga Olimpico.
Në takimet e tjera, Lazio ka shënuar fitore minimale te Atalanta, ndërsa Napoli e ka mposhtur me rezultat 3-0 Palermon si mysafir.