Situata aktuale në sistemin penitenciar shqiptar
Igli Totozani
Që nga themelimi i tij, institucioni i Avokatit të Popullit i ka kushtuar një vëmendje të veçantë respektimit të të drejtave të njeriut në sistemin penitenciar, duke pasur parasysh shkallën e lartë të vulnerabilitetit të personave të privuar nga liria, që me ngritjen e Mekanizmit Kombëtar të Parandalimit kundër torturës dhe trajtimit tjetër mizor, çnjerëzor ose poshtërues.”
Konstatoj që vitet e fundit, respektimi i të drejtave të njerëzve të privuar nga liria ka marrë një dimension tjetër duke u përmirësuar dhe sistemi penitenciar shqiptar gradualisht po u afrohet standardeve ndërkombëtare gjithashtu.
Në këtë drejtim duhet përmendur përmirësimi i infrastrukturës në ndërtimet e institucioneve të reja, çka prek drejtpërdrejt në uljen e mbipopullimit, të mundësuara këto me financimin e BE dhe qeverisë italiane.
Përpjekje janë bërë edhe në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve dhe komunikimit m es personelit të burgjeve dhe të burgosurve, me synimin e ndryshimit të mentalitetit për një trajtim më njerëzor të këtyre personave.
Kjo përpjekje ka qenë një nga masat që ka kontribuar në uljen e rasteve të torturës, keqtrajtimit apo trajtimit çnjerëzor dhe degradues.
Domethënës është edhe fakti që kualifikimit dhe formimit profesional të personelit të burgjeve i është dhënë një peshë më e madhe, fakt ky që ka ndikuar gradualisht në përmirësimin e shërbimeve.
Megjithatë, mbeten ende disa çështje urgjente për tu zgjidhur. Pavarësisht ndërtimit të godinave të reja të vuajtjes së dënimit duke respektuar standardet ndërkombëtare, ka ende në funksion godina të vjetruara, të cilat mohojnë të drejtën për një jetesë dinjitoze për njerëzit e privuar nga liria. Ajrimi dhe ndriçimi natyral nuk garantohen gjithnjë për shkak të limiteve në infrastrukturën e qelive dhe pajisja e tyre me facilitetet e nevojshme është shpesh e mangët dhe e papërshtatshme, ën atë nivel sa nuk siguron kushte normale jetese.
Mjafton të sjellim këtu në vëmendje situatën në burgjet: 313, 325 dhe 302 në Tiranë, apo paraburgimet në Kukës, Tropojë, Sarandë dhe Berat.
Mungesa e infrastrukturës së përshtatshme ndikon drejtpërdrejt dhe në kufizimin e mundësive për të ushtruar aktivitete të nevojshme me karakter social, kulturor etj për riintegrimin e të dënuarve si dhe për risocializimin e tyre.
Po kështu duhet bërë një kujdes i veçantë edhe në drejtim të programeve edukuese, psiko-sociale, formimit profesional të cilat gjithashtu i shërbejnë riintegrimit dhe risocializimit.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm për sa i përket shërbimit në vendet e kufizimit të lirisë së personit është dhe ai i shërbimit shëndetësor ndaj personave me liri të kufizuar. Për fat të keq ky shërbim nuk mund ti ofrohet personave të cilëve u është kufizuar liria në standardet e kërkuara për shkaqe që lidhen me çështje strukturore, financiare, por edhe të kualifikimit të personelit të specializuar. Në këtë kuptim do të duhet të bëhej një kujdes më i madh në lidhje me shtimin e personelit mjekësor në dispozicion të personave që u është privuar liria, sidomos të mjekëve psikiatër, të garantimit të më shumë medikamenteve si dhe të mundësimit të realizimit të marrëveshjes me Ministrinë e Shëndetësisë për ofrimin e shërbimeve mjekësore të këtyre personave.
Së fundmi do doja të sillja në vëmendje një problem ende të pazgjidhur për sa i përket një kategorie të veçantë ajo e personave, të cilët janë shpallur të papërgjegjshëm dhe ju është caktuar mjekim i detyruar në një institucion mjekësor. Në mungesë të një institucioni të tillë, këta persona, në kundërshtim me ligjin dhe me atë çka përcaktuar vendimi i gjykatës, qëndrojnë në të njëjtat ambiente dhe kushte me personat e dënuar.
Respektimi i dinjitetit të tyre dhe i kushteve të tyre shumë specifike kërkon ndërhyrjen urgjente për të gjetur një zgjidhje definitive për këtë problem.
Ligji i ri për shëndetin mendor, i hyrë në fuqi më 1 qershor 2012, ka hedhur hapin e parë në këtë drejtim.