Shqipëri-Europë dhe Berisha në mes
Ilir Yzeiri
Në historinë 100-vjeçare të shtetit shqiptar po përvijohen dy figura si modele të largimit nga Europa. Esat Pashë Toptani në fillim të shekullit që shkoi dhe Sali Berisha në fillim të këtij shekulli. I pari pushtoi gjysmën e Shqipërisë e nuk u shqit që andej derisa i hëngri kokën Ismail Qemalit dhe derisa sa përzuri princin gjerman Wied. Esat Toptani është modeli i politikanit shqiptar që futi nocionin e atdheut si pronë. Ai është emblema e politikanit që është në gjendje të bashkëpunojë me këdo, si me ata që e duan atdheun, ashtu dhe me ata që duan ta shqyejnë, mjaft që në këtë gllabërim të jetë edhe ai në krye të vendit. Historia e shtetit shqiptar në këta 100 vjet, për fat të keq, ka shumë pak shembuj që mund të merren si model. Mbretëria e Ahmet Zogut, pavarësisht anëve pa dritë apo të errëta të saj, ka meritën se orientimin e pati europian, megjithëse në veprimin e brendshëm, Ahmet Zogu drejtonte me metoda orientale. Ata që e njohin sadopak këtë periudhë besoj kujtohen që edhe në atë kohë, mjaft ministra apo shtetarë të tjerë, sa herë që binte një qeveri apo ngrihej një tjetër, shkonin e trokisnin nëpër kancelari të huaja dhe aty ishin gati që të shisnin jo vetëm atdheun, por edhe nënën e babën, mjaft që të bënin presion te mbreti për një post. Të duket se asgjë nuk ka ndryshuar as sot. Por kulmin në këtë pëgërje antishqiptare e ka shënuar në këta njëzetë vjet kryeministri i sotëm, Sali Berisha. Ai, me të riardhur në pushtet në vitin 2005, e shkërmoqi retorikën patriotike që e kishte mbajtur si flamur të veprimit të tij politik në mbretërimin e parë, si, fjala vjen, qëndrimi ndaj Greqisë kur arrestoi minoritarët e gjorë dhe kaloi në ekstremin tjetër. Ai gati e shpalli si aksiomë përfundimtare se, që të rrish në pushtet në Shqipëri, duhet tu bësh lëshime grekëve, se fati i qeverive shqiptare varet nga lobi i fuqishëm grek në SHBA e në Europë, ndaj, për këtë, gjëja e parë që bëri bashkë me delfinin e tij, Lulëzim Basha, ishte dhurata e një cope të atdheut Greqisë. Fati e ndihmoi Shqipërinë, Greqia po rrokulliset në humnerë dhe deti i dhuruar ka shumë gjasë të shpëtojë. Më kujtohet se për këtë aferë, ai përdori edhe një diplomat, të paktën deri atëherë serioz, si Ferit Hoxha, të cilin, pasi e detyroi të noterizonte diplomatikisht faljen e detit, e nisi në SHBA. Tani që Berisha e zgjodhi presidentin ashtu siç deshi, vetë Europa është ftohur me ne dhe përfaqësuesit e saj e kanë të vështirë ta kuptojnë se si ka mundësi që një kryeministër nuk sakrifikon pushtetin e tij për Shqipërinë. Ata nuk e dinë se modeli i Sali Berishës si politikan është i hershëm në elitën sunduese shqiptare, ata nuk e dinë se për Sali Berishën, Shqipëria nuk është atdheu i përbashkët, por një pronë që duhet shqyer me gjithsej dhe për ta gllabëruar atë duhet ta ndash me ata që të mbajnë në pushtet , sidomos me ata që e duan këtë vend të shkatërruar e të zhdukur mundësisht. Atyre është mirë tu japësh nga një copë, se pushtetin e ke të sigurt.