Situata në PD, deputeti gjerman i CDU nga Tirana: S’ka bashkëpunim me një ‘non grata’, s’dalim kundër SHBA-ve

CDU gjermane nuk do të ketë asnjë bashkëpunim me Sali Berishën i shpallur ‘non grata” nga SHBA për korrupsion dhe minim të demokracisë. Kryeraportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Grupit Parlamentar të CDU/CSU në Bundestag, Peter Beyer gjatë një konference për mediat nga Tirana tha se nuk mund të ketë bashkëpunim në të ardhmen me një person ‘non grata’ dhe se këtë mendim të Gjermanisë sipas tij e ndajnë edhe aleatët.
“Nuk jam këtu për të folur në mënyrë publike dhe zyrtare për të marrë anë brenda grupimeve, por dua dhe jo vetëm por këtë arsye por edhe për faktin se aleatët tanë kanë të njëjtin këndvështrim si ne në Gjermani, për një person që është i shpallu ‘non grata’ edhe ne e kemi të vështirë të përfytyrojmë një bashkëpunim në të ardhmen”, tha ai.
Duke komentuar situatën brenda PD, deputeti gjerman, Beyer tha se për CDU nuk ka rëndësi se kush drejton PD, por niveli i përfaqësimit dhe seriozitetit që PD tregon ndaj atyre që e kanë votuar.
“Atëherë këtu po reagoj menjëherë. Për mua nuk janë personat shumë të rëndësishëm. Ne si CDU kemi interes të kemi një PD të fortë. PD është partia opozitare ka një përgjegjësi të madhe për të bërë opozitën në parlament. Kjo duhet të realizohet nga PD që ka përfaqësues të popullit. Më interesojnë pak figurat e veçantë. Më shumë më intereson forcimi i partisë. Ky është qëndrimi ynë si CDU/CSU”, tha ai.
Deputeti gjerman Peter Beyer foli edhe për nismën “Open Balkan”, ku shprehu mbështetjen e Gjermanisë për çdo nisëm rajonale, mjafton që të jetë vijimësi e procesit të Berlinit dhe gjithëpërfshirëse për vendet e rajonit të Ballkanit Perwndimor duke krijuar pozita të barabarta për të gjitha vendet pjesëmarrëse.
“Në bazë të bisedave të mia jo vetëm gjatë ditëve të fundit në Tiranë, por edhe gjatë bisedave me miqtë e mi përtej Atlantikut mendoj se nëse nisma ‘Ballkani i Hapur’ bëhet me transparentë me një thelb të qartë dhe pozita të barabarta mund të sjellë përparim pasi bëhet fjalë për bashkëpunim rajonal. Kjo është një gjë që ne duam ta mbështesim gjithmonë nëse zhvillohet në mënyrën e duhur në vijimësi si të Procesit të Berlinit. Mendoj se është më mirë të jesh brenda procesit sesa jashtë, asnjë vend nuk duhet që të dominojë procesin e Ballkanit të Hapur, vendet duhet të jenë në pozita të barabarta”, tha deputeti gjerman.
/rtsh.al/