Situata në TVSH, G99 organizon një takim me drejtues te medias
G99 organizoi sot, nje dite pas publikimit te raportit te Reportereve pa Kufij mbi mediat - një forum për të diskutuar mbi problemet e RTSH-së i vetmi medium publik në Shqipëri si dhe për të ndarë ide se si ky institucion që paguhet me taksat e shqiptarëve të mund të funksionojë në mënyrë të pavarur e të mund t'i shërbejë publikut, e jo pushtetit.
Në këtë forum përveç drejtuesve të G99, merrnin pjesë disa prej përfaqësuesve më në zë të gazetarisë shqiptare dhe të jetës publike në vend.
Disa prej tyre mbështetën madje idenë që nëse RTSH nuk reformohet, por vazhdon të funksionojë në të njëjtën mënyrë klanore siç funksionon edhe sot, atëherë më mirë të mbyllet apo të shkrihet pasi në këtë formë nuk i shërben asnjë qytetari të thjeshtë shqiptar që çdo vit është i detyruar të paguajë taksa për të.
Lideri i G99, Erion Veliaj, duke shpjeguar arsyet e ndërmarrjes së një sërë aksionesh për ta ngritur në publik këtë çështje, tha se "këtë betejë për të patur një televizion të ndershëm dhe efikas publik ne e kemi filluar më herët, dhe besojmë se akoma nuk është vonë për ta vazhduar, pasi stofi qytetar eshte diçka qe e ke gjithmonw, jo perkohesisht".
Ai nënvizoi se tashmë, jo vetëm pas raportit të djeshëm të Reporterëve pa Kufij, por pas një përvoje të gjatë edhe gjatë fushatës elektorale është bërë e qartë se "është në kufijtë paradoksalë ajo që po ndodh me këtë televizion që transmeton deri dhe emisione me sloganin "pse është Berisha lideri më i dashur i të gjitha kohërave'"...
Përfaqësuesi i G99 Arbi Mazniku tha se "fakti që RTSH është sot dukshëm i uzurpuar nga pushteti, tregon se kur uzurpohet një institucion i tillë që faktikisht është në cep të vëmendjes së opinionit publik, tregon se rrjedhimisht janë uzurpuar edhe të gjitha institucionet e tjera shtetërore sipër tij, që gjithashtu duhet të ishin të pavarura".
Sipas Maznikut, çështja e RTSH-së dhe fakti që kjo çështje nxit pak interes te publiku, tregon se të gjithë shqiptarët janë bërë tashmë pjesë e një fenomeni të përgjithshëm, që nuk ka të bëjë vetëm me televizionin publik: ata kanë hequr dorë nga sfera e nga të gjitha shërbimet publike. "Kur kanë mundësi shqiptarët nuk përdorin shërbimin publik shëndetësor, kur vjen puna te shkollimi, ata gjithashtu preferojnë të anashkalojnë arsimin publik. E ky fenomen vihet re në të gjitha shërbimet publike". Kështuqë, beteja për t'i rikthyer RTSH-në publikut, nënkupton në të njëjtën kohë fillimin e betejës së madhe për t'u rikthyer shqiptarëve të gjitha institucionet e tjera të uzurpuara nga pushteti.
***
Gazetari i njohur Lufti Dervishi, njëkohësisht ish Drejtor i Informacionit në TVSH ishte i mendimit pothuajse radikal se ndoshta e vetmja zgjidhje do të ishte që ky institucion të mbyllej e të rihapej nga e para një tjetër medium publik, me një emër tjetër, me një staf tjetër e me një konceptim krejt tjetër. "Të ndryshojë komplet staf, të ndryshojë madje dhe godinën ku është vendosur e të ndryshojë edhe emrin", u shpreh Dervishi, "sepse ia vlen që të sakrifikohet ky institucion që është aktualisht, për hir të një kauze më të madhe, siç është pasja e një mediaje të vërtetë publike, për publikun".
Ndryshe u shpreh kryeredaktorja e Gazetës Shqiptare, Anila Basha, sipas së cilës ekzistenca e këtij institucioni është jetike për shumë zona të thella malore të vendit, por edhe për krahina të tëra në jug të cilat në mungesë të një televizioni shqiptar detyrohen të ndjekin frekuencat e panumurta të medias greke. Gjithashtu, ajo ngriti pyetjet: "ku janë ata përfaqësues të Bordit Drejtues të cilët janë propozuar nga opozita? Pse nuk ka qoftë edhe një rast kur publikisht njëri prej tyre të ngrejë zërin për çfarë po ndodh në atë institucion?"
Gazetari i njohur Mero Baze, botues i gazetës Tema e drejtues i emisionit "Faktori Plus" në Vizion + ngriti tre probleme që sipas tij rëndojnë sot në këtë media që duhet të ishte publike. Duke folur për problemin e parë sipas tij, politikën redaksionale, ai vuri në dukje se TVSH përfaqëson sot një "talebanizëm politik" dhe një strukturë të rrezikshme klanore. "Ata nuk persekutojnë sot vetëm opozitën, ata persekutojnë edhe këdo që brenda maxhorancës mendon ndryshe", tha Baze, sipas të cilit, "kjo është një bombë me sahat që përdoret për motive personale e që u duhet hequr sa më shpejt të jetë e mundur nga dora atyre që e posedojnë". Baze, ish anëtar i Bordit Drejtues të RTSH-së argumentoi gjithashtu se problem tjetër mbetet ndërtimi korruptiv i këtij institucioni. "Ka plot paketa ekskluzive si për shembull paketa sportive e UEFA-s e cila duhet t'u ofrohej falas shqiptarëve nga TVSH, por që praktikisht u shitet privatëve", tha ai. Më tej, duke patur parasysh rastet me TV Klan, Baze përmendi se "pjesë e këtij strukturimi korruptiv, për shkak se në këtë institucion ka njerëz pa integritet moral, është edhe fakti që e gjithë arkiva e çmuar e TVSH-së i jepet një televizioni privat".
Drejtori i Informacionit në Vizion Plus Arban Hasani tha se nuk është problem vetëm minutazhi i edicionit informativ në TVSH. Sipas tij një shqetësim të përhershëm duhet të përbëjë edhe përmbajtja e gjithë pjesës tjetër të programacionit.
Përfaqësuesi i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Cipa theksoi domosdoshmërinë e rregullimit me një bazë ligjore të të gjitha këtyre shqetësimeve. Ai madje përmendi raste të shumta të gazetarëve të pushuar sipas tij padrejtësisht nga TVSH e që aktualisht po ndjekin këto çështje në gjykatën e Tiranës.
Nga ana tjetër, drejtori i gazetës Shekulli, Adrian Thano shprehu shqetësimin se edhe në rast se tejkalohen problemet e profesionalizmit apo kuadrit ligjor ne TVSH, problemi i perhershem mbetet raporti i politikes me institucionet, perfshire edhe TVSH-ne. "Edhe sikur te vihen ne jete te gjitha propozimet qe u bene ketu, askush nuk garanton që TVSH do kete integritet profesional, persa kohe distanca higjenike mes politikes dhe institucioneve, nuk do egzistoje, - tha ai.
Në këtë forum ishte i pranishëm edhe analisti Adri Nurellari, i cili gjatë fjalës së tij theksoi se një tjetër paradoks shqiptar është edhe ekzistenca e ATSH-së, si një agjenci shtetërore. Sipas tij, nuk ka më sot, as edhe një vend tjetër në botë që të ketë një agjenci me status shtetëror, pra, të kontrolluar tërësisht qoftë de facto e qoftë de jure nga shteti.
Duke folur për nevojën e reformimit të RTSH-së, e të TVSH-së në veçanti, Ylli Rakipi theksoi se kjo është nevojë e domosdoshme duke qenë se TVSH është sot një medium i ndjekur nga të gjithë ata që nuk kanë mundësi të blejnë platforma dixhitale.
Gazetari Cerçiz Loloçi tha se është e nevojshme që bordi drejtues i TVSH-së të përbëhet nga personalitete publike dhe me integritet, ndërsa Eduard Zaloshnja hodhi në tryezë idenë e krijimit në këtë institucion të një bordi me shumicë anëtarësh të propozuar nga opozita dhe dhënies së këtij bordi më shumë autoritet. "Drejtori i përgjithshëm le të propozohet nga maxhoranca, ama bordi të ketë mundësi ta shkarkojë sa herë që ky drejtor shkel standartin e medias publike", tha Zaloshnja. Sipas tij, një mundësi e dytë për përmirësimin e situatës do të ishte krijimi i dy kanaleve qoftë televizive, qoftë radiofonike publike, e njëra të kontrollohej nga maxhoranca, e tjetra nga opozita, "por kjo mundësi do të kishte kosto më të mëdha financiare".
Të pranishmit ranë dakort se ekzistenca e një mediaje publike me standarte të larta do të ndihmonte edhe në balancimin e të gjithë pjesës tjetër private të medias, e cila ndonëse nuk mbahet me taksat e shqiptarëve, ka gjithsesi një detyrim të pashmangshëm ndaj publikut.