Berisha iu jep të vegjëlve tre poste zv.ministrash
TIRANË - Kryeministri emëroi sot tre zv.ministra të rinj. Ata janë përfaqësues të partive të vogla që nuk arritën të marrin thuajse asgjë në zgjedhje. Kështu, Ekrem Spahia i Partisë Lëvizja e Legalitetit nga zv.ministër Kulture me vendim qeverie bëhet zv.ministër i Mbrojtjes. Zv.ministri i dytë i këtij dikasteri u emërua Arjan Starova, kryetar i Bashkimit Liberal Demokrat. Ndërsa futbollisti nga Kavaja, Dashnor Bajaziti emërohet zv.ministër i Kulturës, përfaqësues i PR-së.
Në zgjedhjet e qershorit, Partia e Starovës mori 5 mijë vota në gjithë vendin, ose 0.33 për qind të tyre. Ndërsa Partia e Legalistëve afro 10 mijë vota me afro 0.71 për qind të tyre.
Në koalicionin Aleanca e Ndryshimit, vetëm dy parti të vogla morën mandat deputeti. Përkatësisht PR-1mandat dhe Partia e Çamëve (PDI) - 1 mandat. Kjo e fundit ende nuk është përfaqësuar në asnjë nivel qeverisje. Deputeti që nxori tashmë i është larguar PDI-së për të formuar një parti të re po në mbrojtje të të drejtave çame bashkë me ish-deputetin e PS-së, Shpëtim Idrizi. Këta dy deputete ende nuk janë deklaruar se cilit koalicion do ti bashkëngjiten PD-së apo PS-së, edhe pse zërat thonë se do shkojnë me mazhorancën.