E Diel, 1 Nëntor 2026

Situata në veri e qetë, por me tension

Që nga aksioni i njësisë speciale të Policisë së Kosovës për të vënë kontrollin në vendkalimet kufitare 1 dhe 31 në veri të vendit, i cili më pas u pasua me djegien e pikës kufitare në Jarinë, situata e sigurisë, sipas autoriteteve të rendit dhe ekspertëve të sigurisë, është e qetë, por me tensione.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës thonë në rruga në Rudarë, që shkon në drejtim të komunës së Zveçanit, vazhdon të jetë e bllokuar.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, thotë se edhe pse tensionet kanë rënë në krahasim me ditët e kaluara, situata mbetet e ndjeshme.

“Situata e sigurisë është më e qetë, pa incidente madhore, të cilat do të kërcënonin nivelin e sigurisë në rajonin e Mitrovicës. E vetmja rrugë e bllokuar është ajo e magjistrales Mitrovicë – Leposavic, përkatësisht në fshatin Rudarë të Zveçanit”, sqaron Hoti.

Sipas tij, në veri të Kosovës vazhdon të operojë një numër i konsiderueshëm i forcave të KFOR-it dhe i Policisë së EULEX-it.

Ai thotë se për situatën e sigurisë në veri është duke u kujdesur edhe Policia e Kosovës, e përbërë nga pjesëtarë shqiptarë dhe serbë.

Eksperti për çështje të sigurisë, Nuredin Ibishi, situatën në veri të Kosovës e vlerëson si të tensionuar. Ai thotë se për një gjendje të tillë janë duke kontribuar autoritetet e Beogradit.

“Strukturat paralele që veprojnë në veri janë të interesuara që situatën në veri ta mbajnë të tensionuar dhe të kërkojnë favore”, thotë ai.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›