Situata nga zjarret në Mat, evakuohet një familje, digjen tri shtëpi të pabanuara

TIRANË, 2 shtator /ATSH/ Situata e zjarreve në Mat vijon të mbetet problematike, ndërsa gjatë ditës së sotme është bërë evakuimi i një familjeje, për shkak të rrezikut të përhapjes së flakëve.
Sipas medieve zjarri ka përfshirë edhe tri banesa të pabanueshme në fshatrat Lundër, Madhesh dhe Stojan, në njësinë administrative Ulëz, pjesë e bashkisë Mat.
Ndërkohë, rrezik paraqitet edhe për dy stane bagëtish gjedhe. Sipas informacioneve nga terreni, pronarët e tyre nuk kanë pranuar të largohen, pavarësisht situatës së krijuar.
Aktualisht, forcat në terren vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit. Ndërhyrja po kryhet si nga toka, ashtu edhe nga ajri, me qëllim frenimin e përhapjes së flakëve dhe mbrojtjen e banesave, banorëve dhe gjësë së gjallë.
Situata vijon të monitorohet nga autoritetet, ndërsa puna për shuarjen e zjarrit pritet të vijojë deri në neutralizimin e plotë të vatrave.
/m.q/a.f/r.e/