E Diel, 1 Nëntor 2026

Situata pas zgjedhore, Glover takim në KQZ me Ristanin

TIRANE - Shefja e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR, Glover është takuar sot me kreun e KQZ-së, Arben Ristani. Ka qenë një takim kokë më kokë, pa praninë e mediave dhe ka zgjatur jo më shumë se gjysmë ore. Takimi që vjen një ditë pas numërimit të kutive të shumëdebatuara të Fierit, të cilat i japin PS-së mandatin e nëntë në këtë qark, mësohet se ka pasur në qendër situatën pas zgjedhore.
Ndërkohë që sot, KQZ-ja pritet të marrë në shqyrtim animimin e PS-së për Beratin, zonë ku sërish pretendohet një tjetër mandat nga socialistët.
Duhet theksuar se pak ditë më parë, Glover zhvilloi një takim me kreun e PS-së Edi Rama ku u njoh me shqetësimet e socialistëve për ecurinë e procesit dhe kontestimet e tyre në disa qarqe të vendit.
Ndërkohë, vetëm dy ditë më parë, OSBE/ODIHR dolën me një raport shqetësues për zgjedhjet në vendin tonë, duke cilësuar si problematik vonesat në numërim, ecurinë shumë të keqe të procesit në 1 të tretën e qendrave, (22 nga 66 gjithsej) dhe animimet e shumta të mbërritura në derën e KQZ nga partitë.
Sipas raportit, KQZ-ja kritikohet se jo gjithmonë i ka trajtuar njëlloj ankesat që i kanë ardhur nga partitë politike. "Procesi u zvarrit dhe u karakterizua nga nivele të larta mosbesimi mes partive politike dhe përfaqësuesve të tyre në të gjitha nivelet e administratës zgjedhore"- thuhej në raport.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›