E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha përuron aksin rrugor Qafë Thanë - Lin – Pogradec

Rruga, me gjatësi 22 kilometra, do të ketë të gjitha elementet e një rruge të standardeve europiane, me ndriçim dhe trotuare, gjatë gjithë vijës së liqenit. Loti i parë i saj fillon nga Qafë Thana dhe përfundon në kryqëzimin e Linit.

Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që fillimi i punimeve përmbush edhe një prej premtimeve të rëndësishme elektorale, rikonstruksionin e rrugës Qafë Thanë - Lin dhe ndërtimin nga Lini në Tushemisht të bulevardit më të gjatë të Shqipërisë. “Ky është një investim prej mbi 2 miliard lekë, me të cilin ne do të bëjmë që bregu i liqenit të Ohrit të llamburitë nga Lini në Tushemisht dhe të ketë një nga bulevardet më të bukura, jo vetëm në Shqipëri, por në rajon e më gjerë dhe t’i japë ndërtimit të bregut të liqenit bukurinë që natyra i ka dhënë këtij liqeni të mahnitshëm,” u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha theksoi se ndërtimi i këtij bulevardi përgjatë liqenit të Ohrit dhe projektet e tjera infrastrukturore që po realizohen në këtë qytet, i japin jo vetëm bregut të liqenit një nga pamjet më impresionuese, por edhe territori fiton vlera të mëdha.

“Investimet në Pogradec, - u shpreh Kryeministri - synojnë Pogradecin turistik dhe Shqipërinë turistike. Ka përfunduar projekti jo vetëm për kolektorin, por edhe për përpunimin e ujërave për Pogradecin dhe Tushemishtin. Së shpejti fillon kolektori Lin – Pogradec. Së bashku me bulevardin e ri që ndërtohet këtu krijohet infrastruktura më e shkëlqyer për investime. Fatmirësisht, vlera e tokës ka filluar të rritet ndjeshëm. Kërkesat për të investuar buzë liqenit dhe në qytetin e Pogradecit janë të mëdha, ndaj dhe ne ecim në ndërtimin e kësaj infrastrukture të re”.

Kryeministri Berisha siguroi se çdo premtim elektoral i kësaj shumice do të shndërrohet çdo ditë, çdo javë e çdo muaj në realitet. “Shqipëria europiane është destinacioni ynë. Ndaj ne, me qindra e qindra projekte, do ta ndryshojmë këtë vend dhe në krye të katër viteve do të kemi Shqipërinë tjetër”.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›