E Hënë, 2 Nëntor 2026

PS e Selanikut: Rama, mos jep dorëheqjen!

Kryesia e degës së PS-së, Selanik, i dërgon një letër kryesisë qendrore, ku kërkohet mosdorëheqja e Ramës nga drejtimi i partisë


TIRANË - Kryesia e degës së PS-së në Selanik, i ka kërkuar kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, që të mos dorëhiqet nga drejtimi i partisë, pasi selia rozë në këto zgjedhje ka rezultuar fituese.


Në emër të kryesisë së degës së PS-së, në Selanik, kryetari i kësaj dege, Spiro Janaqi, i ka kërkuar kryesisë qendrore, si dhe vetë kryetarit të partisë, Edi Rama, që të vazhdojë të drejtojë Partinë Socialiste, ose të rikandidojë.


"Kryesia e degës se PS-së për Greqinë Veriore, e mbledhur për të analizuar situatën para dhe paszgjedhore në Shqipëri, e kërkuar kjo nga një numër i madh anëtarësh dhe simpatizantë të partisë, vendosi t'i kërkojë kryesisë së PS-së në Tiranë, si dhe vetë Edi Ramës, që të vazhdojë të drejtojë Partinë Socialiste ose të rikandidojë.


Kjo kërkesë ka të bëjë me seriozitetin dhe përkushtimin e madh të z. Rama për një shoqëri dhe Shqipëri moderne dhe të zhvilluar, si dhe me faktin se në këndvështrimet e kritereve tona, edhe Edi Rama i ka fituar këto zgjedhje",- thuhet në kërkesën zyrtare të kryesisë së degës së PS-së, Selanik. Deri më tani, kryetari i PS-së, Edi Rama, nuk ka mbajtur ende një qëndrim zyrtar nëse do të japë ose jo dorëheqjen.


E gjithë vëmendja e PS-së në këtë moment është përqendruar pikërisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku selia rozë ka kërkuar rinumërimin e disa kutive të votimit në Fier, por edhe ne disa qarqe të tjera, ku kjo parti ka evidentuar parregullsi të mëdha.


Në një intervistë për një media të përditshme, vetëm dy ditë më parë, kryetari i PS-së, Edi Rama, i pyetur mbi dorëheqjen e tij, u përgjigj se kjo është çështje e tij dhe se ajo do të hapet për diskutim në kohën e duhur. "


Sa për dorëheqjen time, kjo nuk është një çështje as e tyre dhe as e atyre, që merren me të, pa qenë pjesë e familjes sonë politike, por vetëm një çështje e imja dhe sigurisht, po njësoj edhe e të gjithë anëtarësisë së Partisë Socialiste, ku kjo çështje do të hapet vetëm në kohën e duhur.


Sot është koha për të mbrojtur mandatet, që na ka dhënë populli nga këta grabitqarë të paskrupullt dhe unë jam më i vendosur se asnjëherë që ta bëj këtë deri në fund, pa u ndalur përpara asgjëje",- tha Rama, në një intervistë për një media të përditshme


.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›