Situata politike, Arvizu: Thyej ‘heshtjen’, nuk do të zhgënjeheni
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Aleksandër Arvizu paralajmëroi dje se së shpejti do të thyejë heshtjen për zhvillimet politike në vend. Në një prononcim të shkurtër për mediat ai tha se në një nga ditët në vijim SHBA do të bëjë publike pozicionet jo vetëm për KQZ-në, por dhe për klimën politike parazgjedhore në tërësi. “Prisni në ditët e javët e ardhshme. Besoj se nuk do të zhgënjeheni”, - tha ambasadori Arvizu. Kjo deklaratë e shkurtër u dha pas ceremonisë së inaugurimit të Qendrës së Këshillimit për Arsimin e cila është sponsorizuar nga ambasada dhe do të ndihmojë studentët Shqiptarë që duan të studiojnë në Shtetet e Bashkuara. Reagimi i ambasadës amerikane pritet me interes teksa dita e zgjedhjeve afrohet gjithnjë e më shumë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vijon të ketë tri anëtarë më pak. Heshtjen e tij, Arvizu e ka ruajtur prej rreth një muaji që prej deklaratës së ashpër kundër lirimit nga detyra të anëtarit te KQZ, Ilirjan Muho. “SHBA iu kanë bërë thirrje në mënyrë konseguente dhe të përsëritur të gjithë aktorëve politikë në Shqipëri – atyre në qeveri dhe atyre në opozitë – që të veprojnë në mënyra të tilla që rrisin besimin e publikut në ndershmërinë dhe integritetin themelor të procesit zgjedhor. Të tilla veprime do të përmirësonin perspektivën që rezultati i zgjedhjeve të pranohet nga të gjitha palët dhe nga publiku, në të mirë të demokracisë dhe integrimit më të thellë të Shqipërisë në bashkësinë euroatlantike të kombeve. Për sa i përket përbërjes së KQZ, është me rëndësi të mbahet mend që anëtarët e KQZ-së – të cilët u përzgjodhën dhe emëruan mbi bazën e konsensusit ndërpartiak, në përputhje me Kodin Zgjedhor konsiderohen se janë apolitikë. Me t’u emëruar, anëtarët e KQZ-së janë betuar, dhe janë të detyruar, që të kryejnë detyrat e tyre për të realizuar zgjedhje të lira, të ndershme e demokratike në Shqipëri. Duke pasur parasysh një kontekst të tillë, si dhe për hir të qartësisë morale, ne nxisim të gjitha aktorët politikë që të riafirmojnë përkushtimin e tyre të shpallur ndaj integritetit dhe transparencës procedurale kur shqyrtojnë çfarëdo veprimi të mundshëm lidhur me përbërjen e KQZ-së”, - thuhej mes të tjerash në deklarata e ambasadës amerikane.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)