Situata politike, OSBE publikon raportin në shtator

Ndërsa pritet që të publikohet raporti i ODIHR-it për zgjedhjet me shpalljen e rezultatit final të 8 majit nga KQZ-ja, një tjetër raport po përgatitet për Shqipërinë.
Në fillim të muajit shtator do të jetë ambasadori i OSBE në Tiranë Eugen Wollfarth i cili pritet të raportojë para Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë për zhvillimet politike dhe jo vetëm gjatë këtij viti në Shqipëri. Ndërsa ka marrë mandatin e tij si diplomat i OSBE-së fiks një vit më parë ambasadori Wollfarth është bërë vazhdimisht pjesë e debateve politike duke ofruar edhe alterantiavë për zgjidhjen e ngërcit politik të dy viteve të fundit.
Në raport parashikohet të përfshihet një material i detajuar për sa i përket procesit zgjedhor të 8 majit, dhe sidomos zgjatja e procesit deri në finalizimin e tij në kryeqytet. Për këtë çështje në vazhdimësi ambasadori Wollfarth ka apeluar për të filluar puna me përmirësimet në kodin zgjedhor dhe shmangien e paqartësive në të.
Në raport parashikohet të përfshihet edhe bojkoti parlamentar i opozitës, që siç është cilësuar edhe raportin e një viti më parë nga ish-ambasadori Robert Bosch ka sjellë edhe mosmiratimin e disa nismave të rëndësishme ligjore. Në këtë pikë që do të shpaloset mendohet se raporti i vjeshtës së këtij viti do të përmbajë edhe qëndrimin e ambasadorit Wollfarth i cili në vazhdimësi, bashkë me ambasadorin amerikan Arvizu dhe atë të BE-së Sequi kanë bërë thirrje për dialog politik mes palëve dhe për të miratuar ligjet e nevojshme për të çuar përpara axhendën e integrimit.
Raporti parashikon të shpalosë edhe problematikën e hasur gjatë këtij viti në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, puna e të cilit është monitoruar nga ekspertë të OSBE-së.