Stuhia “Bora” godet Greqinë, përmbytje në disa zona

Greqia është goditur nga stuhia Bora, e cila shkaktoi përmbytje në ishullin e Lemnos, ku të paktën dy persona humbën jetën, si dhe në pjesë të tjera të vendit. Reshje bore u regjistruan në zonat malore, veçanërisht në veri dhe veriperëndim. Vetëm gjatë natës së kaluar u regjistruan më shumë se 290 telefonata ku kërkohej ndërhyrja e shërbimeve të emergjencës.
Banorëve të fshatit Kontia në Lemnos iu kërkua të evakuoheshin drejt qytezës së Mirnas për shkak se diga në fshatin e tyre rrezikonte të shembej nga reshjet e dendura të shiut.
Në ishullin e Rodosit, përmbytjet e shkaktuara nga shirat e rrëmbyer shkatërruan rrugë dhe ndërtesa. Policia mbylli rrugët për të parandaluar aksidente të mundshme, ndërsa banorëve të ishullit iu kërkua të shmangnin udhëtimet.
Ndërsa verilindja dhe qendra e vendit, si dhe rrethinat e kryeqytetit Athinë, u goditën nga shirat e rrëmbyer dhe erërat e forta, veriu dhe veriperëndimi u përfshinë nga reshjet e dëborës, ku drejtuesve të automjeteve iu kërkua të përdornin zinxhirë bore.
/rtsh.al/