Situatë e tensionuar në Rusi/ Grupi Wagner kap disa objekte ushtarake, autokolonat e tyre shihen në rajonin në jug të Moskës

Kreu i grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin pretendon se ata kanë hyrë në qytetin jugor të Rostov-on-Don dhe morën kontrollin e shtabit ushtarak jugor pa hapur zjarr.
“Pa asnjë të shtënë, ne kapëm ndërtesën e selisë. Ne nuk kemi ndërhyrë në punën e asnjë personi”, tha Prigozhin në një postimin në Telegram.
Ai pretendon se ka marrë edhe mbështetjen e qytetarëve sepse, sipas tij, veprimet e tyre janë të drejta, duke shtuar se ushtria ruse ka sulmuar autokolonat e tyre.
“Pse na mbështet vendi? Sepse ne po bëjmë një marsh drejtësie. Na sulmuan që në fillim me artileri dhe më pas me helikopterë. Nuk kemi prekur asnjë rekrut të vetëm. Nuk vramë asnjë person gjatë rrugës”, shtoi Prigozhin.
Megjithatë, media shtetërore ruse raporton se disa të shtëna armësh dhe një shpërthim janë dëgjuar jashtë selisë së Qarkut Ushtarak Jugor.
Ndërkohë një kolonë e Wagner me automjete të armatosura është duke udhëtuar në rajonin në jug të Moskës. Edhe Voronezh është një nga dy qytetet, pas Rostov-on-Don, në të cilin mercenarët e Wagner thuhet se kanë marrë kontrollin.
Prigozhin akuzon ushtrinë ruse për një sulm vdekjeprurës ndaj forcave të tij në Ukrainë, ku trupat Wagner po luftojnë për Rusinë, por Moska e i ka mohuar këto pretendime.
Presidenti i Rusisë, Vladimi Putin ka dënuar rebelimin e grupit mercenar Wagner, duke e konsideruar si “tradhti të lartë”. Në fjalimin e tij, Putin tha se ata janë “mashtruar në një aventurë kriminale, ndërsa theksoi se e ardhmja e Rusisë është në rrezik, duke i përshkruar veprimet e kryengritësve si një “thikë pas shpine”./ BBC
/rtsh.al/