Sivjet në Kosovë 9 zyrtarë të lartë u bënë milionerë

Agjencia Kundër Korrupcionit, ka publikuar sot raportin vjetor që përfishinë periudhën janar-dhjetor të vitit 2012.
Mekanizmat që kanë për mision luftimin e korrupsionit vitin që lamë pas nuk kanë shënuar rezultate. Ndërkaq janë shënuar disa rezultate në parandalimin e korrupsionit dhe se baza juridike është fuqizuar dukshëm vlerësoi shefi i Agjencisë Kundër Korrupcionit, Hasan Preteni.
Shefi i Agjencisë Kundër Korrupcionit, Hasan Preteni, gjatë prezantimit të raportit vjetor tha se është vënë rregull në fushën e deklarimit të pasurisë.
Ndërkaq, sipas Pretenit Agjencia në vitin raportues 2012 ka gjetur bazë për hetim në 164 raste prej të cilave 80 kanë qenë nga viti 2011. Sipas Pretenit, hetimeve paraprake i janë nënshtruar 244 lëndë ku kanë rezultuar 52 kallëzime penale.
Në raport të këtij Agjencioni thuhet se nga 300 zyrtarë, që janë në pozita të larta e që deklarojnë pasurinë e tyre që nga vitit 2008, 38 zyrtarë nuk justifikojë të hyrat që deklarojnë, 9 raste, nga 2008 në 2012, deklarojnë pasuri që kalojnë milionat.
Në kallëzimet penale të ushtruara, në 21 raste atakohen zyrtarë të qeverisë, 18 zyrtarë të pushtetit lokal dhe në 13 raste institucionet e tjera të pavarura. Numrin më të madh, gjithsej 46, e përbëjnë veprat për shpërdorim të detyrës zyrtare. Veprat për të cilat atakohen zyrtarët e institucioneve vendit janë edhe përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, marrje dhe dhënie ryshfeti, lidhje e kontratës së dëmshme etj.
”Në mesin e 159 zyrtarëve kundër te cilëve është ngritur kallzim penal ka udhëheqës të institucioneve qendrore,lokale dhe përfaqësues diplomatik, tha Preteni.
Hasan Preteni tha se rastet e hudhura nga prokurorët, janë bërë pa asnjë arsyetim. Ndërkaq sa i përket deklarimit të pasurisë, janë identifikuar 869 zyrtarë që ushtrojnë më shumë pozita: 670 me dy pozita ,177 me tri, 26 me katër dhe 6 të tjerë që ushtrojnë pesë funksione./Indeksonline/